Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se në janar të vitit 2026, 46 për qind e konsumit të përgjithshëm të familjeve në Bashkimin Evropian (BE) i takon tri kategorive. E para është ushqimi dhe pijet joalkoolike, e dyta janë banimi, uji dhe energjia, ndërsa e treta është transporti.
Secila prej këtyre kategorive ka shënuar rritje të ndjeshme të çmimeve gjatë viteve të fundit.
Ushqimi është bindshëm shpenzimi më i madh. Në Bashkimin Evropian, ai përbën 16,28 për qind të të gjitha shpenzimeve, ndërsa në Kroaci 21,76 për qind. Banimi, uji dhe energjia janë në vendin e dytë në BE me 14,87 për qind, ndërsa në Kroaci janë vetëm në vendin e katërt me 10,95 për qind. Transporti renditet në vendin e tretë si në BE, ashtu edhe në Kroaci (12,25 për qind). Disi çuditërisht, në Kroaci, restorantet dhe shërbimet e akomodimit janë në vendin e dytë.
Nëse shikoni se sa shpenzojnë qytetarët e vendeve të ndryshme për ushqim, mund të vëreni dallime të mëdha. Zviceranët kanë përqindjen më të ulët të shpenzimeve për ushqim, me 10,35 për qind, pasuar nga Austria me 11,84 për qind dhe Luksemburgu me 12,21 për qind.
Përqindjen më të lartë, bindshëm, e ka Maqedonia. Në vendin tonë, 40,11 për qind e shpenzimeve të familjeve shkojnë për ushqim.
Pas Maqedonisë renditet Shqipëria me 34,46 për qind dhe Kosova me 32,75 për qind. Ndër vendet anëtare të BE-së, Rumania është në situatën më të pafavorshme, me 27,41 për qind, transmeton Forbes Hrvatska.