Hijenat dhe hijet





Hamdi Nuhiju

Qysh në lashtësi, lufta midis hijenave dhe hijeve për mbijetesë në skenë, ka përshkruar analet e të gjithë kronikanëve. Disa i karakterizojnë si një mikrobotë e dukshme midis vjehrrës dhe nuses, të tjerët kufizohen vetëm në skenën politike, pa përfshirë edhe spektrin shoqëror dhe historik!
Hijenat dhe hijet përdorën të gjithë arsenalin e tyre të lejuar dhe të ndaluar për tu shfaqur dhe paraqitur në skenë. Hija është refleksion. Dhe refleksioni është një gjendje e mërzitshme nëse zgjat me shekuj.
U prekën pikat e ndjeshme si termi nënë, grua, respekt, dashuri, interes! Këto, thuajse janë shndërruar pjesë e një arsenali për luftë, në vend që të përdoren si pasuri termesh për të spjeguar dhe kuptuar qenien shoqërore.
Në rrafshin shoqëror në armë u shndërruan termet shok, koleg, mësues, profesor, teolog, atlet, sportist, kojshi! Si hijenat ashtu edhe hijet e kanë të qartë se lufta e tyre është nën hije për të mbisunduar skenën e refleksionit! Janë e kundërta e dritës, dijes, progresit, mirësisë! Shpesh herë, në fushën e betejes, hasim edhe termet tradhëti, mosbesim, dyshim! Të mencurit kanë thënë se kush i kontrollon këto terme, ka një përparësi patologjike në këtë luftë të mërzitshme.
Kjo botë, ose lufta midis hijeve dhe hijenave mund të konsiderohet edhe si luftë e fytyrave! Në horizont shfaqen fytyrat të cilat në pjesën më të madhe të kohës janë mbështjell me maska të sofistikuara.
Gjilpëra e cila del në pah përmes tehut të gjuhës paraqitet si një tank modern i pajisur me teknologjinë më të fundit. Ajo të shpon thellë në zemër, ndërsa të paragjykon për mundësinë e derdhjes së lotëve nga dhimbjet si dhe tentimit për të ndalur gjakderdhjen.
Hijenat dhe hijet përvec që kanë të përbashkët shkronjën h, ata identifikohen me faktin se shkrihen si akulli përballë drejtësisë dhe të vërtetës! Edhe pse, bota e kaosit, mund të na turbullojë ujin deri në turbullimin e mendjes, përsëri nuk bënë të hiqet dorë nga drejtësia dhe e vërteta.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo