Hungaria hapi hetim penal për kredinë prej një miliard eurosh për Maqedoninë





Autoritetet hungareze njoftuan dje se hapën një hetim penal për abuzime të pretenduara në “Eximbank” shtetërore, ndër të cilat është edhe kredia prej një miliard eurosh për Maqedoninë, njoftoi “Reuters”.

Hetimi përfshin katër raste në të cilat ka dyshime për abuzim të pozitës zyrtare dhe për punë të pakujdesshme. Rastet u raportuan në korrik nga Ministria e Ekonomisë pas një auditimi të veprimtarisë së bankës.

Hetuesit të hënën konfiskuan mijëra faqe dokumentesh të brendshme nga Ministria e Ekonomisë, të cilat duhet të ofrojnë informacione shtesë për hetimin.

> “Bëhet fjalë për dokumente të siguruara gjatë hetimit të brendshëm, të cilat përmbajnë të dhëna shtesë për hetimin e veprimeve të raportuara”, thuhet në njoftim.

Kredia për Maqedoninë u aprovua me një normë interesi prej 3,25 për qind dhe me garanci të plotë shtetërore. Kryeministri Péter Magyar në korrik deklaroi se ka dyshime se fondet e destinuara për mbështetjen e kompanive hungareze mund të jenë ridrejtuar për forcimin e një aleati politik të huaj, si dhe për përfitim potencial të kompanive të afërta me qeverinë e mëparshme.

“Eximbank” deri në qershor 2022 ishte nën kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pas së cilës përgjegjësia u transferua te Ministria e Ekonomisë. Banka deri tani nuk ka përgjigjur kërkesës për koment.

Magyar, i cili me fitoren në zgjedhjet e prillit e ndërpreu 16-vjeçarin e qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orbán, premtoi se do të merret me, siç pretendon ai, korrupsionin e përhapur gjerësisht në qeverinë e mëparshme. Orbán i hedh poshtë akuzat.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo