Nga krenaria e 1 Shtatorit te dhimbja e një shkolle që po shuhet





Nga Urim Saliu Tetovasot

Sot i përcolla fëmijët e mi drejt një fillimi të ri. Njëri hodhi hapin e parë në jetën universitare, tjetri në bankat e vitit të parë të gjimnazit. Si çdo prind, ndjeva krenari, shpresë dhe emocion.
Por pak minuta më vonë, hyra në shkollën ku punoj. Aty emocionet u përplasën me realitetin.
Nga dymbëdhjetë paralele, kanë mbetur vetëm pesë.
Shtatë janë zhdukur. Katër i mbylli një pushtet pra BDI , tre i mbylli pushteti tjetër pra VLEN. Ndryshuan partitë, por jo fati i arsimit. Ndryshuan emrat e ministrave, por jo mënyra se si vendoset për shkollat. Ndryshuan sloganet, por jo padrejtësia.
Nëse i pyet, do të dëgjosh qindra justifikime: statistika, reforma, kritere, demografi. Janë arsyet që përsëriten çdo vit derisa janë bërë përmendësh. Por pas çdo “arsyeje” fshihet një profesor që rrezikon vendin e punës, një familje që jeton në pasiguri dhe një shkollë që humbet identitetin e saj.
Askush nuk luftoi seriozisht për t’i shpëtuar këto paralele.
Sepse, kur politika dëshiron, ajo ndërhyn. Gjen fonde. Gjen zgjidhje. Gjen mekanizma. Madje ndërton edhe terrene futbolli për shkolla të përzgjedhura, të cilave u vendos etiketa “elitare”, sikur elita të ndërtohej me beton, e jo me dije, profesorë dhe nxënës.
Ndërkohë, këtu ndodh paradoksi.
Ky vit ka më shumë nxënës, por më pak paralele.
Në letër flitet për meritë. Në praktikë flitet për lidhje. Nxënës që fillimisht nuk i plotësojnë kriteret, më vonë shfaqen të regjistruar në gjimnaze dhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë. Dikush ua hap derën. Dikush ua ndryshon fatin. Ndërsa shkollave të tjera u mbyllen dyert.
Dhe pastaj do t’i shohësh profesorët të largohen në heshtje. Me sytë ulur, me zemrën e rënduar, duke mos ditur nëse nesër do të kenë vend pune. Në një kohë kur kriza ekonomike rëndon mbi çdo familje, kjo nuk është vetëm humbje e një paraleleje. Është humbje e dinjitetit, e sigurisë dhe e besimit se sistemi mund të jetë i drejtë.
Më e dhimbshmja është se ata që i morën këto vendime do të dalin para kamerave me fytyra të buzëqeshura. Do të flasin për reforma, sukses dhe zhvillim. Do të shtiren sikur e ndjejnë dhimbjen e profesorëve, ndërsa në të njëjtën kohë kanë qenë pjesë e vendimeve që ua kanë rënduar jetën.
Arsimi nuk duhet të jetë plaçkë politike. Nuk duhet të ketë shkolla të privilegjuara dhe shkolla të dënuara. Nuk duhet të ketë nxënës me meritë dhe nxënës me “telefon”.
Kur politika fillon të zgjedhë se cila shkollë do të jetojë e cila do të shuhet, nuk po ndërton të ardhmen. Po e rrënon atë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo