Besohet se dy vrasjet ishin të lidhura – a mund të frymëzojë aktgjykimi për Tupac gjetjen e vrasësit të Biggie?
Dënimi i Duane “Keffe D” Davis në Las Vegas i ka dhënë fund një prej rasteve më të famshme të pazgjidhura të vrasjeve në botë.
“Po flasim për reperin më të madh të të gjitha kohërave, një ikonë, dhe për 30 vjet nuk pati asnjë arrestim apo ndjekje penale”, tha ish-prokurori Neama Rahmani për BBC-në lidhur me dënimin për vrasjen e reperit Tupac Shakur. “Kjo është diçka e madhe. Ishte një rast i vështirë. Është një rast i vjetër i pazgjidhur”.
Kjo i jep fund një misteri 30-vjeçar, duke shënuar fundin e një epoke, shtoi ai.
Kjo shkaktoi lot te familjarët e reperit Shakur në sallën e gjyqit, premtime nga Davis se do të apelonte dhe kureshtje te disa prej të tjerëve që po e ndiqnin çështjen, lidhur me atë se çfarë mund të nënkuptojë kjo për një rast pothuajse identik – vrasjen e pazgjidhur të Notorious B.I.G., ose Biggie Smalls, i njohur edhe me emrin e tij ligjor Christopher Wallace.
Wallace, nga New York, ishte rivali i madh i Shakur dhe të dy reperët mishëronin rivalitetin mes Bregut Lindor dhe Bregut Perëndimor që dominonte hip-hop-in e viteve ’90. Wallace u vra në Los Angeles disa muaj pas Shakurit dhe në rrethana të ngjashme – në një sulm me armë nga një automjet në lëvizje. Askush nuk është akuzuar ndonjëherë.
Prej kohësh besohet se dy vrasjet ishin të lidhura dhe emri i Wallace u përmend shumë gjatë gjyqit të Duane Davis – ai dhe Davis ishin në të njëjtën festë natën kur u vra Wallace dhe Davis u intervistua nga policia për këtë çështje. Hetuesi që zhvilloi atë intervistë madje dëshmoi në gjyqin për vrasjen e Tupac.
Përparimi që çoi më në fund në zgjidhjen e rastit të Shakurit erdhi kryesisht nga një gjë – fjalët e vetë Davisit.
Përmes dokumentarëve me mediat, kujtimeve të tij, podkasteve dhe madje edhe një interviste sekrete me policinë – ai pranoi rolin e tij në vdekjen e Shakurit. Davis tha se hodhi një armë zjarri në ulësen e pasme dhe nipi i tij, Orlando Anderson, e përdori armën për ta qëlluar për vdekje Shakurin, ndërsa ata u afruan me automjetin e tij në Las Vegas më 7 shtator 1996.
Anderson u qëllua për vdekje në vitin 1998, pasi kishte mohuar se e kishte vrarë Shakurin.
Gjatë gjyqit, nuk kishte dëshmitarë okularë që ta vendosnin Davisin në automjet, nuk u paraqit arma e vrasjes dhe nuk kishte prova video apo fotografike. Ekipi i tij mbrojtës shkoi deri aty sa argumentoi se nuk kishte as prova që ai kishte qenë në Las Vegas atë natë.
Rahmani tha se ishte një rast i vështirë për t’u ndjekur penalisht. Ai theksoi se thashethemet dhe spekulimet rreth Davisit nuk ishin diçka e re dhe kishin qarkulluar për dekada – por vendimi për ta akuzuar dhe për ta çuar rastin në gjyq ishte një “ngjitje përpjetë” – një lëvizje e guximshme – për prokurorët.
“Shikoni, kur jeni prokuror, pritet që të fitoni çdo herë. Ata morën një vendim të vështirë për të ngritur një akuzë për një rast që shumë njerëz mendonin se mund të ishte i humbur”, shpjegoi ai. “Dhe ata sollën drejtësinë, kur të tjerët as nuk u përpoqën”.
Avokati i Davisit, Michael Sanft, i kërkoi trupit gjykues të merrte parasysh “çfarë faktesh keni?”. Ai i bëri thirrje trupit gjykues, përpara se të merrte vendimin për fajësinë, që klientin e tij ta konsideronte gënjeshtar që kishte treguar histori për të shitur libra dhe për të fituar para.
“Nuk ka prova”, argumentoi ai para gjykatësve.
Në momentin kur në sallën e gjyqit u lexua vendimi fajtor, familjarët e Shakurit shpërthyen në emocione. Disa qanë dhe fshinë lotët me facoleta. Të tjerë u përqafuan dhe u kapën për dore – një familjar madje përqafoi njërin prej prokurorëve të çështjes.
Avokati i gjyqit Shaun Kent tha se çështja evoluoi vërtet me çdo intervistë dhe me çdo moment kur Davis vendosi të hapte gojën dhe të fliste më shumë për rastin.
“Nuk ka dëshmitarë të tjerë, përveç tij”, i tha Kent BBC-së para gjyqit, duke vënë në dukje se “dëshmitari më i fortë kundër tij – është ai vetë”.
Rahmani tha se, sipas mendimit të tij, Davis do të “mbetet në histori si një prej kriminelëve më budallenj në botë”, i cili me shumë gjasë nuk do të ishte përballur kurrë me akuza nëse do të kishte heshtur.
“Ai vërtet nuk mund ta ndalte veten”, shtoi Rahmani. “Edhe kur u arrestua dhe ishte në paraburgim, ai jepte intervista”.
Pjesa më e madhe e gjyqit për Shakurin e detyroi trupin gjykues të kthehej pas në vitet 1990, në një kohë kur dhuna intensive e bandave kishte depërtuar në muzikën hip-hop dhe në rivalitetet mes reperëve të Bregut Lindor dhe atyre të Bregut Perëndimor.
Ishte një kohë mosbesimi të thellë ndaj policisë dhe e një kodi të rrugës që ndalonte informimin e autoriteteve.
Edhe Shakuri, pasi u qëllua disa herë në sulmin nga një automjet në lëvizje që më vonë do t’i shkaktonte vdekjen, refuzoi të fliste me autoritetet. “Ne do të kujdesemi për këtë”, tha ai në ambulancë, ndërsa një oficer përpiqej ta pyeste se kush e kishte bërë.
Heshtja u përsërit disa muaj më vonë në vrasjen me armë të Biggie Smalls.
Biggie, një prej reperëve më të mëdhenj të Bregut Lindor, po largohej nga një festë pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve Soul Train Music Awards në Los Angeles, kur një Chevrolet i zi u afrua pranë automjetit të tij në semafor dhe hapi zjarr më 9 mars 1997. Kjo ndodhi pothuajse saktësisht gjashtë muaj pas të shtënave që i morën jetën Shakurit, një prej reperëve më të mëdhenj të Bregut Perëndimor.
Të dy ishin artistë të nominuar për Grammy, në majat e zhanrit të tyre, duke fituar miliona dhe duke u transmetuar pandërprerë në radio. Ata ishin gjithashtu në qendër të një rivaliteti mes rap-it të Bregut Lindor dhe atij të Bregut Perëndimor, i cili u pasqyrua në tekstet e tyre dhe çoi gjithashtu në kërcënime dhe dhunë fizike.
Të dyja vrasjet nuk çuan në arrestime, as në dënime, por vetëm në thashetheme dhe teori konspirative dhe në dhunën e bandave që shpërtheu në rrugët e Los Angeles, ndërsa bandat e rrugës kërkonin të mbanin njëra-tjetrën përgjegjëse pas vdekjeve të të dy reperëve.
Ashtu si në rastin e vdekjes së Shakurit, vdekjen e Biggie-t në Los Anxhelos e kanë rrethuar teori dhe emra të panumërt, por policia e Departamentit të Policisë së Los Angeles (LAPD) nuk ka bërë asnjë arrestim.
“Është vërtet një njollë për LAPD-në. Fakti që kjo mund të ndodhte dhe të mos bëhej asnjë arrestim dhe askush të mos ndiqej penalisht”, tha Rahmani, duke vënë në dukje se vrasja e Biggie-t ndodhi në një rrugë publike në mes të qytetit të dytë më të populluar të SHBA-së.
“Prokurorët nuk u pëlqen të humbasin dhe priren të jenë pak të frikësuar për të marrë rrezikun”, shpjegoi Rahmani. “Por, ndoshta kjo [dënimi për Tupac] do t’i inkurajojë njerëzit në Los Angeles që ta shqyrtojnë sërish, një rast të vjetër të pazgjidhur që po i afrohet 30 vjetëve”.
I pyetur për rastet dhe nëse dënimi për vrasjen e Tupac-ut mund ta ringjallte hetimin për vdekjen e Biggie-t, LAPD i tha BBC-së se ishte në dijeni të dënimit dhe se hetimi për rastin e Biggie-t mbetet aktiv.
“Vrasja e Christopher Wallace mbetet një rast i hapur dhe i pazgjidhur brenda Divizionit të Grabitjeve dhe Vrasjeve të LAPD-së”, tha togeri Elpidio Orozco, duke u bërë thirrje kujtdo që ka informacione të kontaktojë autoritetet.