Ibrahimi: Distancimi i Ostrenit nga Ahmeti nuk e shfajëson atë nga përgjegjësia politike

Ish lideri i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ndaj deklaratave të Gëzim Ostrenit për Marrëveshjen e Ohrit dhe çështjen e gjuhës shqipe, duke thënë se pranimi i dështimit të objektivave të luftës së vitit 2001 duhet të pasohet edhe me përgjegjësi politike nga Ali Ahmeti.

“Megjithëse sot duket atraktiv, pohimi i Gëzim Ostrenit se Ali Ahmeti, me Marrëveshjen e Ohrit, nuk e zgjidhi çështjen e gjuhës shqipe, nuk është kurrfarë risie. Këtë e kemi thënë kaherë, madje edhe atëherë kur gjenerali ishte në BDI dhe ia mbante ison ‘kryetarit’”, shkruan Ibrahimi.

Ai thekson se distancimi i Ostrenit nga ish kryetari i tij nuk e shfajëson nga përgjegjësia politike.

“Për hir të së vërtetës, distancimi i Ostrenit nga ish kryetari i tij nuk e shfajëson atë, ndërsa vonesa 25-vjeçare e pranimit të fajit, në vend që të jetë katarzë, është mëkat. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë”, shprehet Ibrahimi.

Sipas tij, pas pranimit nga ish shefi i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së se objektivat e luftës nuk janë realizuar, radha për të dhënë përgjigje i takon edhe ish përfaqësuesit politik të UÇK-së dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit.

“E pasi që ish shefi i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së e ka pranuar se kanë dështuar në objektivat e luftës, pas kësaj është e rendit të përgjigjet edhe vetë ish përfaqësuesi politik i UÇK-së së djeshme dhe kryetari i BDI-së së sotme se për çfarë u bë lufta në vitin 2001 dhe si ndodhi që shqiptarët hynë në atë përballje me synimin e ‘bashkimit të trojeve etnike’ dhe përfunduan në ‘shtetin unitar’”, shkruan ai.

Ibrahimi ngre gjithashtu pyetje për ndryshimet në statusin juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut pas konfliktit të vitit 2001.

“Si dhe si u bë që nga ‘pakicë kombëtare’ (para vitit 2001) përfunduan në ‘bashkësi etnike’ apo nga ‘gjuha e pakicës’ kaluan në ‘gjuhën që e flasin 20% e popullatës, e që nuk është e njëjtë me maqedonishten’?”, pyet Ibrahimi.

Në fund, ish lideri i Alternativës e përmbyll reagimin me një mesazh kritik ndaj zhvillimeve politike të këtyre 25 viteve.

“Këto janë ato çastet kur të vjen keq që ke pasur të drejtë”, nënvizon Ibrahimi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo