Arsenali pritet të fitojë miliona në ditën e fundit të merkatos, nga shitja e lojtarëve që s’luajnë në klub
Arsenali pritet të arkëtojë rreth 10 milionë paund në ditën e fundit të afatit kalimtar falë klauzolave të rishitjes, teksa Brooke Norton-Cuffy dhe Folarin Balogun pritet të kompletojnë transferimet e tyre në momentet e fundit.
Norton-Cuffy, i cili u largua nga Arsenali për t’iu bashkuar skuadrës së Serie A, Genoa, në vitin 2024 për një shumë të raportuar prej 1.7 milionë paundësh, është pranë transferimit te Hull City, skuadra e sapograduar në Premierligë, në një marrëveshje me vlerë 14 milionë euro (11.9 milionë paund).
Si rezultat, “Topçinjtë” do të përfitojnë rreth 2.3 milionë paund, pasi në marrëveshjen për shitjen e Norton-Cuffyt te Genoa kishin përfshirë një klauzolë prej 20 për qind të përfitimit nga shitja e ardhshme.
Ka qenë një verë e ngarkuar me largime tek Arsenali dhe duket se klubi do të arkëtojë një tjetër shumë të konsiderueshme të martën, kur ish-sulmuesi Folarin Balogun t’i bashkohet Evertonit nga Monaco për 38.5 milionë paund.
Përveçse e shitën Balogunin te skuadra e Ligue 1 në vitin 2023 për një shumë të raportuar prej 34 milionë paundësh, Arsenali kishte përfshirë edhe një klauzolë prej 20 për qind të përfitimit nga një shitje e ardhshme. Kjo do t’i sjellë klubit rreth 7.7 milionë paund nëse transferimi realizohet.
Një numër i madh lojtarësh të ekipit të parë janë larguar nga klubi londinez në javët e fundit, përfshirë Christian Norgaard, Jakub Kiwior, Leandro Trossard dhe Reiss Nelson, i cili u largua me marrëveshje të dyanshme.
Sa u përket afrimeve, skuadra e Mikel Artetës ka shpenzuar afër 200 milionë paund për transferime këtë verë, me Bruno Guimaraes, Christos Tzolis, Piero Hincapie dhe Ezri Konsa që janë transferuar për shuma të konsiderueshme.
Megjithatë, duket se Arsenali do të rikuperojë një pjesë të këtyre parave në orët e fundit të afatit kalimtar.
Të martën, klubi konfirmoi largimin e Fabio Vieiras, i cili është transferuar te skuadra e Bundesligës, Hamburg, në një marrëveshje me vlerë 7.7 milionë paund.
Ndërkohë, Gabriel Martinelli është pranë largimit. 25-vjeçari, i cili ka shënuar 62 gola në 278 paraqitje për Arsenalin, është afër transferimit te skuadra e Saudi Pro League, Al Hilal, për rreth 65 milionë euro (55.7 milionë paund).
Nëse marrëveshja realizohet, Arsenali do të arkëtojë një shumë rekord për shitjen e një lojtari, duke tejkaluar 35 milionë paundët që mori nga Liverpooli për Alex Oxlade-Chamberlain në verën e vitit 2017.
Edhe Gabriel Jesus pritet të largohet nga klubi, pas Martinellit. Braziliani, i cili ka pasur vështirësi për të siguruar minuta të rregullta në dy sezonet e fundit, është pranë transferimit te Barcelona për rreth 8.5 milionë paund, plus bonuse.
29-vjeçari do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare me Barcelonën, sipas Fabrizio Romanos, i cili pretendon se Arsenali e “autorizoi” udhëtimin e tij të hënën.
Në total, Jesus ka shënuar 32 gola dhe ka dhuruar 22 asistime në 123 paraqitje për klubin londinez.