Bozhinovska me Bordin e ri Drejtues dhe Mbikëqyrës të NOMAGAS: Projektet strategjike të gazit dhe përshpejtimi i gazifikimit mbeten prioritet
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim
pune me Bordin e ri Drejtues dhe Bordin Mbikëqyrës të NOMAGAS SHA Shkup. Në takim u
diskutuan aktivitetet dhe projektet prioritare të kompanisë, me fokus në zhvillimin e
infrastrukturës së gazit dhe rritjen e përdorimit të gazit natyror në vend.
Në takim u diskutua për projektet strategjike që janë aktualisht në zhvillim dhe që kanë rëndësi të
veçantë për diversifikimin dhe avancimin e infrastrukturës së gazit. Interkonektori me Greqinë
është në fazën përfundimtare, ndërsa paralelisht po intensifikohen aktivitetet dhe bisedimet për
realizimin e interkonektorit me Serbinë. Këto projekte do t’i forcojnë më tej mundësitë e
Maqedonisë për qasje në burime dhe drejtime të ndryshme të furnizimit me gaz natyror.
Në këtë kuadër, u theksua edhe rëndësia e bashkimit të Maqedonisë me Korridorin Vertikal,
që pritet të realizohet në shtator. Ky hap do të krijojë mundësi të reja për diversifikimin e
furnizimit me gaz dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Në fokus edhe gazifikimi i komunave, me synimin për të përshpejtuar procesin në terren. Në
takim u diskutua për mekanizma shtesë që do t’i nxisnin komunat të përfshihen më aktivisht,
ndërsa shteti do të vazhdojë të krijojë kushte për qasje më të lehtë dhe më të përballueshme në
infrastrukturën e gazit.
„Qëllimi ynë është që gazifikimi të mos mbetet vetëm një projekt infrastrukturor, por të
krijojmë kushte që gazi natyror të bëhet realisht i qasshëm për sa më shumë komuna,
institucione dhe qytetarë. Për këtë nevojitet koordinim mes shtetit, komunave dhe
NOMAGAS-it, por edhe mekanizma të qartë për përshpejtimin e procesit”, theksoi
ministrja Bozhinovska..
Në takim u theksua nevoja për përshpejtimin e realizimit të projekteve kapitale, menaxhim
efikas të infrastrukturës së gazit dhe koordinim të ngushtë mes Ministrisë dhe NOMAGAS-
it, me qëllim krijimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm, të diversifikuar dhe konkurrues.
Bordin e ri Drejtues të NOMAGAS-it e kryeson Nedim Rama, i cili mban edhe detyrën e
drejtorit të përgjithshëm. Krste Miladinov është nënkryetar i Bordit Drejtues dhe
zëvendësdrejtor i përgjithshëm. Anëtarë të Bordit janë gjithashtu Boshko Stefanovski, Hajriz
Buci dhe Ognen Dimitrov.
Në Bordin Mbikëqyrës bëjnë pjesë Ivo Malinov, anëtar i pavarur dhe kryetar i Bordit
Mbikëqyrës, Agim Mahmuti, anëtar i pavarur, si dhe Zlatko Acevski, Katerina Gicev dhe
Sasha Angelovski.
Takimet e rregullta të punës janë një mekanizëm i rëndësishëm përmes të cilit Ministria siguron
koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm, si dhe ndjekje në kohë të realizimit të
projekteve strategjike dhe prioriteteve në sektorin e gazit, me qëllim zbatimin efikas të
aktiviteteve të planifikuara dhe forcimin e sigurisë energjetike.



