Sela: Ata këshilltarë që i thonë vetes shqiptarë, sot i mbyllën shkollat shqipe në Bogovicë, Pohum dhe Zhepin
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të këshilltarëve komunalë në Strugë, të cilët, sipas tij, kanë votuar për mbylljen e shkollave shqipe në Pohum, Bogovicë dhe Zhepin.
Në reagimin e tij, Sela kujton figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe sakrificën e tyre për gjuhën dhe arsimin shqip.
“E gjatë është lista e rilindasve tanë, e mësuesve tanë, e shqiptarëve, që me gjak dhe sakrificë bënë shkronjat, mësonjëtoret për ne”, shkruan Sela, duke përmendur emra si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Sevasti Qiriazi, Parashqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe shumë figura të tjera të arsimit dhe kulturës shqiptare.
Sela thotë se këta personalitete në traditën shqiptare respektohen në të njëjtin nivel me shenjtorët, për shkak të kontributit dhe sakrificës së tyre për gjuhën shqipe.
Në vijim, ai kritikon ashpër ata që, sipas tij, kanë vepruar kundër gjuhës dhe arsimit shqip.
“Po aq e gjatë është lista e atyre që punuan kundër gjuhës shqipe! E ata nuk kanë emër dhe mirë që nuk kanë, s’kanë emër sepse s’kanë nder, janë turpi e llumi i shoqërisë shqiptare”, shprehet Sela.
Ai e lidh këtë kritikë me votimin e fundit në Strugë, duke akuzuar disa këshilltarë shqiptarë se kanë mbështetur mbylljen e shkollave shqipe në Pohum, Bogovicë dhe Zhepin.
“E këtij turpi ju shtuan edhe ca këshilltarë që i thonë vetes shqiptar e që votuan sot për mbylljen e shkollave shqipe në Pohum, Bogovicë e Zhepin të Strugës. Ata s’kanë emër”, përfundon Sela.