Në opinion po qarkullojnë informacione serioze se VLEN dhe VMRO-DPMNE janë marrë vesh që një pjesë e territorit të Komunës së Butelit t’i bashkohet Komunës së Çairit.
Nëse këto informacione konfirmohen, qytetarët duhet të informohen për marrëveshjen, jo vetëm versionin e përgatitur për publikun.
VMRO-DPMNE do t’u thotë votuesve të vet se me këtë e pengon Butelin të bëhet komunë me shumicë shqiptare.
VLEN do t’u thotë shqiptarëve se pas më shumë se dy dekadash po e zgjeron Çairin, komunën me dendësi enorme të popullsisë, dhe se po krijon hapësirë për parqe, shëtitore e zhvillim.
Dy tregime për të njëjtin pazar.
Nëse kriteri i VMRO-së është përbërja etnike e Butelit, atëherë po flasim për vizatim të kufijve komunalë sipas etnisë.
Nëse VLEN-it i intereson vërtet cilësia e jetës në Çair, atëherë duhet të tregojë që sot çfarë territori kërkon, sa hektarë, çfarë destinimi urbanistik ka ajo tokë, kujt i takon dhe sa prej saj do të jetë gjelbërim e hapësirë publike.
Sepse Çairit nuk i duhen hektarë të rinj vetëm që mbi ta të ngrihen pallate të reja.
Izet Mexhiti që prej dekadash mban përgjegjësi politike për kaosin urbanistik në Çair nuk mund ta shesë zgjerimin territorial si sukses, ndërsa modeli i betonizimit vazhdon njësoj. Po ky Izet ishte kryetar i Çairit edhe në 2008 kur u vendos që bashkimi i Komunën së Kërçovës të shtyhet për 4 vite.
VLEN duhet ta dijë shumë mirë që kufijtë e komunave nuk ndryshohen me marrëveshje në zyrat partiake.
Për këtë duhet ndryshim ligjor, konsultim me qytetarët dhe votim në Kuvend me shumicën e Badenterit (që nuk e kanë).
Prandaj kërkojmë që VLEN dhe VMRO-DPMNE menjëherë t’i përgjigjen opinionit, a ekziston marrëveshje për ndryshimin e kufirit Butel-Çair?
Në Komunën e Çairit janë me dhjetra pallate ndertesa pa leje te ndertuara ne toka shterore, te denoncura publikisht nga institucionet lokale në qytetin e Shkupit dhe institucionet qendrore.
Çairi ka nevojë për hapësirë, gjelbërim dhe zhvillim të planifikuar. Jo pazare etnike.
Nuk ka nevojë për një pazar ku VMRO merr garanci demografike, ndërsa VLEN merr territor për ta shitur si fitore historike.