MMPT: “JEPJANI PUNËTORIT HAKUN PARA SE T’I ΤHAΗΕT DJERSA”

Punëtorët e NPK “Tetova” më në fund pranuan rrogat që i meritojnë, dhe ky është një lajm që na gëzon të gjithëve. Megjithatë, ajo që pamë në manifestimin e djeshëm të Komunës së Tetovës nuk është e hijshme.

Punëtorët e NPK “Tetova”, të cilët paguhen nga paratë publike dhe me dinjitet i shërbejnë qytetit, nuk duhet të keqpërdoren si dekor për PR politik të pushtetit. Shërbimi dhe institucionet publike nuk janë pronë e askujt dhe posaçërisht punëtorët nuk duhet të kushtëzohen për atë që meritojnë duke u bërë pjesë e fushatave promovuese.

Edhe më absurde është mënyra se si është organizuar i gjithë ky manifestim, ku shfaqet një pankartë gjigante me elemente vizuale qartësisht të identifikueshme me ato të VLEN-it dhe me mbishkrimin “FALEMINDERIT”, sikur dikush nga jashtë po i falënderon “shefat” për zgjidhjen, ndërkaq duket qartë se vetë drejtuesit e pushtetit, në mënyrën më të ulët, organizojnë “falënderimin” për veten.

Rrjedhimisht, lindin pyetjet se kush i ka paguar këto pankarta dhe materialet e këtij manifestimi? Me paratë e NPK-së? Me paratë e Komunës? Apo me paratë e partisë? Apo vallë punëtorët e kanë organizuar këtë falënderim sepse përfundimisht siç prezantohet kanë marrë atë që u takon?

Punëtorët e NPK-së, posaçërisht ata më të prekurit ndër to, meritojnë paga të rregullta, kontribute të mbuluara, sigurim shëndetësor, kushte pune, respekt dhe siguri, e jo të instrumentalizohen për fotografi dhe propagandë. Puna e tyre është vërtet e çmuar, dhe kjo duhet t’u dëshmohet çdo ditë përmes trajtimit dinjitoz, e jo përmes shfaqjeve ku pushteti organizon manifestime për ta duartrokitur veten. NPK “Tetova” nuk është pronë e askujt politikisht.

Gëzohemi që punëtorët e ndërmarrjes më në fund morën hakun e tyre të shumë merituar dhe u dëshirojmë shëndet e punë të mbarë!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo