Një dritare mundësie për Tiranën: Pse “Jo”-ja e Islandës ndaj BE-së favorizon integrimin e Shqipërisë
Adri Nurellari
Vendimi i qytetarëve të Islandës për të refuzuar dje rifillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian me një rezultat të ngushtë ( 52.8% kundër dhe 47.2% pro) mund të duket në vështrim të parë si një ngjarje me rëndësi thjesht lokale në skajin verior të kontinentit dhe pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Tiranën. Megjithatë, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe posaçërisht në mekanikën e brendshme të BE-së, procesi funksionon si një sistem enësh komunikuese ku kjo votë refuzuese islandeze përbën një rrethanë të favorshme strategjike që lehtëson integrimin e Shqipërisë dhe rrit peshën relative të vendit në tavolinën e bisedimeve. Ky avantazh vjen në një moment vendimtar, kur Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt negociues, ka përmbushur objektivat e ndërmjetëm për grup-kapitullin e çështjeve themelore dhe ka nisur mbylljen e tyre, duke u pozicionuar realisht menjëherë pas Malit të Zi.
Pavarësisht nga mungesa thuajse totale e vëmendjes së mediave shqiptare ndaj “Referendumit për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit të Islandës në Bashkimin Europian” unë personalisht e kam ndjekur me goxha ankth që kur u shpall sepse e kam lidhur drejtëpredrejtë me suksesin tonë të integrimit të shpejtë në BE. Argumentet janë të shumtë dhe i përkasin disa kategorive. Së pari, vota “Jo” e Islandës largon nga gara një vend shumë më të përgatitur se ne duke shmangur kēshtu krijimin e një korsie të shpejtë alternative të zgjerimit. Kuptohet që i ka tashmë të përmbushura kriteret e Kopenhagës, sepse ka institucione demokratike, ekonomi funksionale të tregut, standarde të larta në administratë dhe shtet të së drejtës shumë më të konsoliduar. Po ashtu Islanda zbaton tashmë një pjesë të madhe të legjislacionit të BE-së përmes Zonës Ekonomike Europiane, është pjesë e hapësirës Schengen dhe e integruar thellësisht në tregun e përbashkët. Mjafton të kujtojmë Finlandën, e cila aplikoi në NATO në maj 2022 dhe u anëtarësua në prill 2023, si dhe Suedinë, që aplikoi po atë muaj dhe hyri në mars 2024; apo zgjerimin e BE-së të vitit 1995, kur Austria, Suedia dhe Finlanda i përfunduan negociatat brenda rreth një viti. Natyrisht, procedurat e NATO-s dhe BE-së nuk janë të njëjta, por këto raste dëshmojnë të njëjtin realitet politik; kur një vend është i përgatitur dhe ekziston vullneti i fuqive kryesore, afatet mund të shkurtohen ndjeshëm.
Me pak fjalë, mund t’i përfundonte negociatat shumë më shpejt se Shqipëria, edhe duke i rifilluar më vonë. Përparimi i shpejtë i Islandës do të na linte në hije, do të krijonte një kontrast të fortë dhe një standard pothuaj të pakapshëm krahasimi, duke zbehur vullnetin politik të BE-së për të njohur e pranuar përparimin e Shqipërisë. Kur një kandidat i mbyll kapitujt brenda pak muajsh, çdo vështirësi e natyrshme e Shqipërisë në zbatimin e reformave të thella strukturore do të ekspozohej me tone dyfish më të ashpra. Fatmirësisht ecuria e shpejtë e një ekonomie post-industriale nordike nuk mund të përdoret tashmë nga skeptikët e zgjerimit brenda BE-së si një njësi matëse për të theksuar ngadalësinë e reformave në Shqipëri.
Këtu duhet theksuar se shmanget edhe rreziku i një pakete potenciale Islandë-Mal i Zi që mund të na linte neve jashtë. Me “paketë” nënkuptohet prirja e BE-së për të pranuar disa vende njëkohësisht ose në një valë të përbashkët zgjerimi, në vend që të organizojë një proces të veçantë politik për çdo kandidat. Mali i Zi është kandidati më i avancuar sot, ndërsa Islanda do të ishte kandidati teknikisht më i gatshëm nëse do votonte pro në referendum dje. Të dyja janë vende të vogla, anëtare të NATO-s, me kosto të ulët integrimi dhe BE-ja mund t’i bashkonte politikisht në një valë të parë zgjerimi duke plotësuar idenë që procesi i zgjerimit po ecën. Dihet që BE-ja ka nevojë të dëshmojë se zgjerimi po vazhdon për të ruajtur besueshmërinë e premtimeve ndaj vendeve kandidate, për të shpërblyer reformat dhe për të treguar se mbetet një fuqi tërheqëse e aftë të zgjerojë stabilitetin dhe ndikimin e saj përballë Rusisë dhe Kinës. Shqipëria rrezikonte të ndahej nga grupimi me Malin e Zi dhe të kalonte në një valë tjetër në një kohë të dytë me vende të tjera si Serbia e Maqedonia e Veriut.
Rreziku nuk do të ishte vetëm simbolik, sepse pas miratimit dhe ratifikimit të një pakete Islandë–Mal i Zi, Shqipërisë do t’i duhej të priste një cikël të ri vendimmarrjeje dhe ratifikimi nga të 27 shtetet anëtare, çka mund ta shtynte anëtarësimin për disa vite të tjera.Pa Islandën, mundësia e një pakete zgjerimi ngushtohet dhe ngurtësohet rreth dy kandidatëve më të avancuar të mbetur, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Edhe Shqipëria i përgjigjet logjikës së një zgjerimi të menaxhueshëm sepse është një vend relativisht i vogël, anëtarësimi i të cilit nuk do të përmbyste ekuilibrat buxhetorë, institucionalë apo vendimmarrës të Bashkimit. Për këtë arsye, një paketë Mali i Zi–Shqipëri do t’i ofronte BE-së një zgjerim me peshë të lartë strategjike, por me kosto të kontrollueshme institucionale.
Rrjedhimisht, tërheqja e Islandës e thjeshton hartën e zgjerimit dhe e bën më të qartë pozicionin e Shqipërisë; ku Mali i Zi mbetet kandidati pararendës, ndërsa vendi ynë konsolidohet si kandidati i radhës. Kjo e forcon parimin e diferencimit sipas meritës, sepse Shqipëria nuk ka pse të mbahet peng nga kriza institucionale në Bosnjë-Hercegovinë, bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut , dialogu i pazgjidhur Kosovë–Serbi apo krizat e ngecjet demokratike të kandidatëve të tjerë. Nëse Brukseli dëshiron të provojë se zgjerimi është vërtet meritokratik, ai duhet ta lejojë Shqipërinë të përparojë sipas reformave të saj, jo me ritmin e vendeve më të ngadalta apo të bllokuara nga konfliktet dypalëshe. Në këtë mënyrë, largimi i Islandës jo vetëm shmang kështu një konkurrent të fortë nga Veriu, por e ngushton konfigurimin e valës së ardhshme rreth Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke e bërë më të vështirë shtyrjen e vendit tonë për një paketë të mëvonshme të pacaktuar.
Një tjetër element i favorshëm është dimensioni gjeopolitik sepse refuzimi islandez pengon zhvendosjen e qendrës gjeopolitike të zgjerimit nga Ballkani Perëndimor drejt Atlantikut të Veriut dhe Arktikut. Në kushtet e rivalitetit me Rusinë dhe Kinën, interesit të flotave franceze dhe spanjolle për kuotat e peshkimit në ujërat islandeze dhe pas tensioneve të reja rreth Groenlandës, kandidatura e Islandës do të merrte një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Brukselin. Siguria e Atlantikut të Veriut, rrugët e reja detare arktike pas shkrirjeve të akujve, dhe kontrolli i burimeve natyrore dhe të drejtat e eksplorimeve nënujore, do të mund ta zhvendosnin vëmendjen e Brukselit drejt Veriut. Thënë ndryshe, refuzimi islandez pengon zhvendosjen e boshtit të zgjerimit drejt shteteve të pasura veriore dhe heq alibinë e vendeve hezituese për ta lënë Ballkanin në pritje në paradhomë. Me Islandën jashtë fushës së lojës, argumenti gjeopolitik rikthehet më fort te Juglindja e Europës. Ballkani Perëndimor mbetet një nga frontet kryesore të politikës së zgjerimit pasi BE-ja ka më shumë interes të mbyllë vakumin politik të Ballkanit, ku veprojnë Rusia, Kina, Turqia dhe aktorë të tjerë. Këtë peshë e forcon fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë, duke u dëshmuar si partner i parashikueshëm dhe jo si burim i një problemi të ri strategjik.
Mospërfshirja e Islandës në zgjerim ka edhe një dobi praktike të madhe për Shqipërinë sepse Komisioni dhe Këshilli Evropian kanë kapacitete të kufizuara për të menaxhuar njëkohësisht shumë negociata. Në një proces me shumë kandidatë, progresi i secilit vend humbet lehtësisht në një agjendë të mbingarkuar. Po të fitonte “Po-ja, Islanda do të merrte përparësi në agjendën politike dhe do të përthithte një pjesë të kapaciteteve negociuese e të kapitalit diplomatik të BE-së. Pra dalja nga loja ul konkurrencën për kapital politik. Çdo kandidaturë kërkon kapital politik nga Komisioni, presidencat e BE-së dhe 27 qeveritë kombëtare. Islanda do të hapte negociata të ndërlikuara për peshkimin, bujqësinë dhe kontrollin mbi burimet detare që do na eklipsonin neve. Kështu pa Islandën kandidatët ekzistues mund të marrin më shumë vëmendje burokratike dhe diplomatike prej Brukselit, dhe Shqipëria bëhet relativisht më e dukshme në një fushë me më pak kandidatë të gatshëm.
Një tjetër rrafsh që na jep avantazh është ai i perceptimit sepse është shtuar nevoja e BE-së për një sukses të ri duke ditur që refuzimi islandez dëmton simbolikisht fuqinë tërheqëse të Bashkimit Europian. Pas Brexitit, vota “Jo” e Islandës, krijon perceptimin se edhe shoqëritë e zhvilluara nuk e konsiderojnë më anëtarësimin në BE domosdoshmërisht tërheqës prandaj Brukseli ka nevojë të tregojë edhe më shumë se më parë se politika e zgjerimit vazhdon të funksionojë. Ndryshe nga Islanda, vendi ynë kontraston me konsensusin popullor e politik mbi 90% pro-BE, duke e paraqitur vendin si një partner të parashikueshëm dhe të përkushtuar dhe duke riparuar sadopak euro-entuziazmin në kontinent. Në këtë mënyrë mobilizohen shtetet kryesore kampione të zgjerimit të cilat taniimë nuk kanë një alternativë „të lehtë“ nordike për të mbajtur procesin gjallë, por janë të detyruara të lobojnë drejtpërdrejt për Shqipërinë. Në këtë kuptim pranimi i një kandidati që ka realizuar reforma do të rivendoste besueshmërinë e procesit sepse një sukses shqiptar do të demonstronte se reformat shpërblehen dhe se procesi meritokratik nuk është thjesht retorikë.
Por përparësia e Shqipërisë nuk qëndron vetëm te gatishmëria e saj për të rikthyer besueshmërinë e zgjerimit, por edhe te vlera transformuese shumë më e madhe që anëtarësimi i saj do të prodhonte për të gjithë rajonin. Ndryshe nga Islanda (anëtarësimi i së cilës do të formalizonte një integrim që në thelb ekziston) hyrja e Shqipërisë në BE do të prodhonte një transformim shumë më të thellë institucional dhe rajonal. Ajo do të konsolidonte shtetin e së drejtës, administratën dhe konkurrencën, do të dobësonte kapjen e shtetit, korrupsionin dhe ndikimet destabilizuese, si dhe do të mbyllte një pjesë të hartës së papërfunduar europiane në Ballkan. Për më tepër, Shqipëria përbën një pikë të natyrshme reference dhe tërheqjeje për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës; europianizimi i saj do të rrezatonte standarde, pritshmëri dhe orientim properëndimor në të gjithë hapësirën rajonale. Efekti do të ishte veçanërisht i rëndësishëm në Kosovë, ku anëtarësimi i Shqipërisë do të dëshmonte se perspektiva europiane e shqiptarëve mbetet e prekshme, duke nxitur reforma, moderim politik dhe qëndrueshmëri properëndimore, pavarësisht pengesave që krijon mosnjohja nga pesë shtete të BE-së. Për rrjedhojë, integrimi i Shqipërisë nuk do të ishte vetëm zgjerim territorial i BE-së, por një investim me efekt shumëfishues në stabilitetin, demokratizimin dhe europianizimin e Ballkanit. Shqipëria rifiton peshë si faktor stabiliteti në këtë oborr të brendshëm të Europës sepse me një llogaritje të thjeshtë të strategëve eurokratë, kostoja e mosintegrimit të Shqipërisë është më e lartë se kostoja e qëndrimit të Islandës jashtë BE-së.
Përtej llogaritjeve teknike dhe ekonomike, anëtarësimi i Shqipërisë mbart një peshë të jashtëzakonshme normative për vetë kuptimin e projektit europian. Shqipëria do të ishte vendi i parë anëtar i BE-së me një përqindje të madhe të popullsisë myslimane duke shërbyer simbolikisht si urë komunikimi ndërmjet Europës dhe botës islame, por edhe si model brenda vetë Europës për bashkëjetesën ndërfetare dhe integrimin e miliona emigrantëve myslimanë në shoqëritë europiane. Si i tillë ky anëtarësim përcjell mesazhin e qartë se Bashkimi Europian është përnjëmend një rend politik e kushtetues i bazuar mbi lirinë, shtetin e së drejtës dhe vlerat qytetare, e jo një klub i mbyllur me kritere fetare. Në një epokë kur kontinenti përballet me polarizim dhe debate të ashpra mbi bashkëjetesën kulturore, modeli historik shqiptar i harmonisë ndërfetare dhe sekularizmit funksional shfaqet si një vlerë e shtuar e patjetërsueshme. Rasti i shqiptarëve me entuziazmin e tyre të pashuar për integrim Euro-Atlantik, dëshmon se përkatësia europiane dhe larmia e besimeve bashkekzistojnë natyrshëm brenda një identiteti të përbashkët demokratik. Pra për të gjitha këto arsye, Shqipëria mund të argumentojë se integrimi i saj prodhon më shumë vlerë strategjike për BE-në e për rrjedhojë meriton më shumë mbështetje e tolerim për të ecur përpara në këtë proces.
Megjithatë, një analizë e ftohtë politike nuk duhet të ushqejë iluzione. Vota e Islandës nuk është një biletë hyrëse e gatshme dhe as nuk e zëvendëson punën e brendshme të qeverisë së Shqipërisë. Ajo më të vertetë liron hapësirë në fushën e lojës politike, diplomatike dhe institucionale, pa ulur standardet që vendi ynë duhet të përmbushë. Plotësimi i Kriterieve të Kopenhagës mbetet i panegociueshëm. Asnjë rrethanë e jashtme nuk mund të zëvendësojë nevojën për thellimin e pakthyeshëm të reformës në drejtësi, goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë, luftën kundër krimit të organizuar, ngritjen e një administrate të depolitizuar dhe sigurimin e një klime të qëndrueshme për investimet. Zgjerimi nuk është një garë me një numër të paracaktuar vendesh dhe dalja e Islandës nga loja nuk mbyll automatikisht asnjë kapitull për Shqipërinë. Për më tepër, rezultati islandez nuk e shfuqizon rregullin e unanimitetit: çdo etapë vendimtare e procesit shqiptar vazhdon të varet nga miratimi i të 27 shteteve anëtare, secili prej të cilëve mund të vendosë veton për arsye të brendshme ose interesa të veçanta politike.
Vota islandeze nuk na afron juridikisht me BE-në, por na pastron politikisht korsinë; na largon një kandidat që mund të na parakalonte, shmang një paketë Islandë–Mal i Zi, ruan Ballkanin në qendër të zgjerimit dhe e bën Shqipërinë më të nevojshme për besueshmërinë e vetë projektit europian. Por kuptohet që kjo dritare mundësie nuk ka për të qenë e përjetshme, prandaj duhet shfrytëzuar në maksimimum. Përpara se lëkundjet elektorale në Europë, një krizë e re apo rikthimi i lodhjes nga zgjerimi ta mbyllin këtë dritare, Shqipëria duhet ta shndërrojë erën e favorshme në kapituj të mbyllur dhe reforma të pakthyeshme. Kësaj radhe historia na e ka afruar derën e Europës; konjuktura ndërkombëtare është e favorshme, nëse mbetemi përsëri jashtë, faji nuk do të jetë më i historisë.