Akuzat se “Instagram” dhe “Facebook” krijojnë varësi te të rinjtë, “Meta” pranon të paguajë 16.7 miliardë dollarë për të mbyllur gjyqin
Gjiganti i rrjeteve sociale “Meta”ka pranuar të paguajë deri në 16.7 miliardë dollarë për të mbyllur një proces të rëndësishëm në SHBA, ku kompania akuzohej se Facebook dhe Instagram ishin dizajnuar për të krijuar varësi te fëmijët dhe adoleshentët dhe se kishte shkelur rregullat për mbrojtjen e të dhënave të të miturve.
Marrëveshja është arritur ndërsa procesi federal në Kaliforni ishte ende në zhvillim dhe përfshin një koalicion prej shtetesh amerikane.
Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, ka mohuar akuzat për shkelje, por ka rënë dakord për një sërë ndryshimesh të rëndësishme në mënyrën se si platformat e saj përdoren nga të rinjtë.
Kufizime të reja për adoleshentët
Në kuadër të marrëveshjes, Meta do të vendosë masa të reja për përdoruesit e mitur, përfshirë kufizime të kohës së përdorimit, bllokime gjatë orëve të natës dhe masa shtesë për kontrollin e moshës.
Kompania do të kufizojë gjithashtu aksesin e të rinjve në përmbajtje që konsiderohet e papërshtatshme për moshën.
Një tjetër masë lidhet me njoftimet, të cilat do të kufizohen gjatë orëve të shkollës dhe gjatë natës, me synimin për të reduktuar kohën që adoleshentët kalojnë në aplikacione.
Meta do të forcojë edhe sistemet e verifikimit të moshës dhe kontrollet prindërore, ndërsa disa funksione të platformave do të ndryshojnë për të reduktuar krahasimin social dhe ekspozimin ndaj materialeve të dëmshme.
Meta përballet me mijëra padi të tjera
Marrëveshja i jep fund një prej proceseve më të rëndësishme ligjore që ka përballur kompania lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale te të miturit.
Megjithatë, çështjet ligjore ndaj Meta-s nuk përfundojnë këtu. Kompania përballet ende me mijëra padi të tjera, të ngritura nga qytetarë, distrikte shkollore dhe autoritete të ndryshme, lidhur me pretendimet për dëmet që Facebook dhe Instagram mund t’u kenë shkaktuar të rinjve.
Në një tjetër çështje të rëndësishme, një gjykatë në New Mexico e urdhëroi këtë muaj Meta-n të paguante më shumë se 942 milionë dollarë dhe të merrte masa të reja për kufizimin e përdorimit të platformave nga të miturit.
Pavarësisht shumës rekord të marrëveshjes, tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj lajmit.
Aksionet e Meta-s u rritën pas njoftimit për marrëveshjen, çka tregon se investitorët e kanë konsideruar zgjidhjen e procesit si një zhvillim pozitiv për kompaninë. Reuters raportoi një rritje prej rreth 2.3% të aksioneve pas lajmit.
Meta ka bërë gjithashtu thirrje që TikTok dhe YouTube t’i bashkohen masave të reja për mbrojtjen e të miturve. Argumenti i kompanisë është se adoleshentët përdorin njëkohësisht shumë aplikacione dhe se kufizimi i përdorimit në vetëm një platformë mund t’i shtyjë ata të kalojnë te një tjetër.
Për këtë arsye, Meta kërkon që edhe platformat rivale të vendosin standarde të ngjashme për kufizimin e kohës së përdorimit, modalitetin e natës dhe verifikimin e moshës.