Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme të 14-të njëzëri miratoi vendimet dhe udhëzimet për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat do të mbahen më 18 tetor.
Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, informoi se për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve është paraparë një plan financiar në vlerë totale prej 21.1 milionë denarësh (rreth 343 mijë euro). Sipas tij, mjetet janë miratuar dje nga Qeveria.
Nga shuma totale, 3 milionë denarë (48.8 mijë euro) janë paraparë për reklamim politik me pagesë në media, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për të gjitha shpenzimet e tjera që lidhen me zhvillimin e procesit zgjedhor.
“Për hir të opinionit publik, do të ndaj shumën totale të planit financiar për mbulimin e të gjitha shpenzimeve lidhur me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Bërvenicës më 18 tetor. Ato arrijnë në 21.100.000 denarë. Kjo shumë u miratua nga Qeveria në seancën e djeshme. Nga kjo shumë, 3.000.000 denarë janë paraparë për reklamim politik me pagesë në media, ndërsa të gjitha shpenzimet e tjera për zhvillimin e plotë dhe të rregullt të zgjedhjeve në Bërvenicë do të mbulohen nga ky plan financiar”, tha Mariçiq.
Në seancë u miratua edhe vendimi për ndryshimin e Planit Vjetor të KSHZ-së, me futjen e një programi të ri buxhetor – Programi 21, i dedikuar ekskluzivisht për zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore.
Anëtari i KSHZ-së, Angellço Ristov, sqaroi se komisioni është i detyruar ta ndryshojë Planin Vjetor duke futur Programin 21, ndërsa në plan janë paraparë furnizimet minimale të nevojshme për organizimin e procesit zgjedhor në Bërvenicë.
Anëtarët e KSHZ-së njëzëri miratuan edhe propozim-vendimin për përcaktimin e shpenzimeve për zhvillimin e aktiviteteve zgjedhore sipas shumave reale të shpenzuara, si dhe propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve për Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë.
“Me këtë vendim i mundësojmë Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të mbulojë një pjesë të shpenzimeve për zhvillimin e zgjedhjeve”, tha Mariçiq.
Me vendimet e KSHZ-së do të ndahen edhe mjete avans për njësinë rajonale të KSHZ-së në Tetovë, do të angazhohen inxhinierë të IT-së për zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë do t’i nënshtrohen edhe një trajnimi të detyrueshëm për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve më 18 tetor.