Mislimi: Grubi duhet të gjykohet nga provat dhe ligji, jo nga politika

Rami Mislimi ka reaguar për rastin e Artan Grubit, duke e lidhur atë me një rast historik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të theksuar rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë nga presioni politik.

“Historia njeh raste kur pushteti politik ishte i bindur për fajësinë e një politikani, shumë kohë para se të fliste gjykata”, ka shkruar Mislimi.

Ai sjell si shembull rastin e ish-zëvendëspresidentit amerikan Aaron Burr, i cili në vitin 1807 u gjykua për tradhti. Sipas Mislimit, presidenti Thomas Jefferson e kishte shpallur publikisht fajtor Burrin edhe para përfundimit të procesit, por gjykata nuk u udhëhoq nga deklaratat politike dhe ai u shpall i pafajshëm.

Duke bërë paralelizëm me situatën aktuale, Mislimi shkruan: “Sot është e njëjta me Grubin. A do të vendosin provat dhe ligji, apo do të vendosë politika para se të hyhet në sallën e gjyqit?”

Në reagimin e tij, Mislimi thekson se presioni politik mund të jetë i madh, por drejtësia nuk duhet të ndikohet prej tij.

“Historia na mëson një gjë: presioni mund të jetë i madh, por drejtësia nuk duhet të ketë frikë nga presioni”, shkruan ai.

Në fund, Mislimi vlerëson se rasti i Grubit nuk është vetëm çështje e një politikani, por edhe një test për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

“Sot nuk gjykohet vetëm një politikan. Sot testohet pavarësia e drejtësisë”, ka shkruar Rami Mislimi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo