Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE vazhdon të investojë në sektorin e kujdesit shëndetësor, me qëllim përmirësimin e kushteve në institucione, blerjen e pajisjeve moderne dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore me cilësi më të mirë për qytetarët, njoftoi partia.
VMRO-DPMNE deklaron se janë duke u realizuar disa projekte kapitale, përfshirë ndërtimin e Spitaleve Klinike në Shtip dhe Tetovë, zgjerimin e Qendrës Shëndetësore në Kërçovë, si dhe ndërtimin e një konvikti studentor dhe një Fakulteti të Shkencave Mjekësore.
Sipas deklaratës së partisë, tashmë ka interes nga financues potencialë për disa nga këto projekte, ndërsa paralelisht po shqyrtohen mundësitë për realizimin e një Qendre të re Klinike në Shkup.
Sipas partisë në pushtet, një nga vendet që po shqyrtohet për kompleksin e ri shëndetësor është hapësira në te “Boris Trajkovski”. Plani, sipas tyre, parashikon një kompleks modern mjekësor që do të lidhet me Spitalin Klinik “8 Shtatori” nëpërmjet një kalimi nëntokësor të ngrohur, ndërsa në kompleks do të përfshihen edhe qendra PET dhe poliklinika “Bukuresht”.
VMRO-DPMNE thekson se paralelisht me projektet e reja, po zbatohen edhe rikonstruksione në institucionet ekzistuese të kujdesit shëndetësor.
Sipas tyre, në spitalin “8 Shtatori” janë rindërtuar blloku operativ, kujdesi intensiv, patologjia, laboratori dhe struktura e çatisë, ndërsa është rinovuar edhe reparti i traumatologjisë në Spitalin e Qytetit të Vjetër.
Në njoftim thuhet gjithashtu se në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike (KGJO) janë investuar 110 milionë denarë për rikonstruksion dhe furnizim me pajisje.
Partia shton se gjashtë salla operacioni janë rinovuar në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” dhe pritet që katër të tjera të vihen në funksion.
Sipas VMRO-DPMNE-së, deri më tani janë rindërtuar më shumë se dhjetë objekte dhe klinika shëndetësore, si dhe janë blerë pajisje moderne mjekësore me vlerë disa milionë euro.