Aliu: Lindja e mëshirës së botrave, Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të

LINDJA E MËSHIRËS SË BOTRAVE, MUHAMEDIT, PAQJA E ZOTIT QOFTË MBI TË

BASHKIM ALIU

Në shkretëtirën e Gadishullit Arabik me nxehtësinë e tij të lartë, në tokën ranore e të thatë të Hixhazit, në kodrat e Faranit, në qytetin e rrethuar rrethepërqark me male, i cili shënon mesin e ruzullit tokësor, në qytetin e paqes, në vendin e lavdishëm të historisë së njerëzimit, për të cilin është e lidhur historia e Islamit, në vendin të cilin e patën drejtim të gjithë pejgamberët e mëparshëm, në tokën në të cilën u ngrit shtëpia e parë në sipërfaqen e dheut që të adhurohet Allahu i Madhërishëm, në vendin drejt të cilit drejtohen një miliard e sa qindra milion muslimanë gjatë faljes së tyre, në Meken e shenjtë, u dërgua mëshira për tërë botrat, pishtari ndriçues, dëshmuesi përgëzues, thirrësi i të vërtetës, vula e të dërguarve të Allahut, Muha¬medi, paqja e Zotit qoftë mbi të.
Shpresa e njerëzisë dhe fëmija i cili më vonë do të jetë timonier i njerëzisë drejt të vërtetës, lindi në qytetin Mekë, më 12 Rebiul Evvel, ditën e hënë të vitit 570 apo 571, sipas variantave që transmetohen për këtë, respektivisht 50 ditë pas ngjarjes së elefantëve, të cilën do ta përmen¬dim më vonë. Lindi prej nënës Emine dhe babait Abdullah. Rreth asaj se a lindi Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të, jetim, respektivisht a lindi para apo pas vdekjes së babait të tij, historianët kanë dhënë disa mendime. Disa prej tyre e kanë tepruar duke theksuar se Muhamedi paqja e Zotit qoftë mbi të, ka pasur 28 muaj, e ka që kanë përmendur edhe mendime tjera.96 Por, varianti më i saktë dhe i pranuar në mes historianëve është se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, lindi pa baba, respektivisht babai i tij vdiq duke qenë Emine¬ja, nëna e tij, me barrë. Këtë e pohojnë burimet e rëndësishme historike si: Ibën Is’haku, Ibën Hishami, Taberiu, Ibën Kethiri, etj.

Po ashtu, janë përmendur varianta të ndryshme edhe rreth intervalit kohor mes vdekjes së Abdullahut dhe lindjes së të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të.

Ibën Is’haku përmend se kur vdiq Abdullahu, babai i të Dërguarit të Allahut, Emineja ishte me bare me të Dërguarin e Allahut, pa mos përmendur në cilin muaj ka qenë.97 Nga ana tjetër, Ibën Xheriri dhe disa tjerë pohojnë se Abdullahu ka vdekur kur gruaja e tij ka qenë shtatzënë dy muaj me të Dërguarin e Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të.98 Disa historianë tjerë kanë përmendur edhe mendime tjera për atë se sa javë apo muaj para lindjes së Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka vdekur babai i tij, Abdullahu.

Nga kjo që u theksua shihet se mes dijetarëve ka qëndrime të ndryshme për vdekjen e Abdullahut dhe lindjen e Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të, pas vdekjes së babait. Me rëndësi është se Abdullahu ka vdekur kur Emineja ka qenë shtatzënë.

Lindja e Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të, e gëzoi nënën e vejë e të mjerë e cila dita ditës pritte foshnjen, që do të ishte ngushëllim shpirtëror, po ashtu, edhe për gjyshin e përmalluar i cili mezi priste ta shohë dritën e zemrës, i cili do t’ia përkujtojë djalin më të dashur të tij Abdullahun.

———————————————————–
96 Cituar sipas: Ibën Is’hak, op. cit., fq.97. Po ashtu, shih: Ibën Kethir, Ebu-l-Fida, Imadud-din Ismail ibën Omer, el-Bidaje ve en-nihaje, Daru-l-kutubi-l-ilmijje, Bejrut, 1994, vëll.II, fq.210; el-Xhevzijje, Ibën el-Kajjim, Zadul mead fi hedji hajril ibad, Botimi XXV, Muessesetur-risale, Bejrut, 1991, Tahkik, tehrixh ve te’lik: Shuajb Arnauti dhe Abdulkadir Arnauti, vëll.I, fq.76
97 Ibid.
98 Cituar sipas: Ibën Kethir, op. cit., fq.210. Po ashtu, shih: el-Xhevzijje, op. cit., fq.76; el-Buti, op. cit., fq.70.

————————————————————

Pasi lindi djali i pritur, nëna e ndershme e gëzuar dërgoi te gjyshi i vogëlushit ta përgëzojnë për lindjen e nipit të tij. Momenti i kumtimit të lajmit Abdulmutalibit për lindjen e djalit të Abdullahut, lirisht mund të konsiderohet njëri prej momenteve të rralla që i kishte përjetuar në jetën e tij. Në atë moment fytyra e tij shkëlqeu, zemra iu rrënqeth e shpirti nxirrte përmes syve lot pikëllimi e gëzimi. Iu drejtua Zotit duke i ngritur duart kah qielli që ta falënderojë dhe ta lus që ta bekojë foshnjen e posalindur. U nis nga shtëpia e Emines ku ajo ia dha djalin e vogël. E mori djalin dhe u nis drejt Ka’bes dhe bëri tavaf bashkë me të.

Rreth vënies së emrit Muhamedi, për të Dërguarin e Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka mendime të ndrysh¬me.
Ibën Sadi99 përmend se kur lindi Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të, nëna e tij e dërgoi një njeri që ta lajmërojë vjehrin e saj Abdulmutalibin për lindjen e djalit. Shkoi i dërguari dhe e gjeti Abdulmutalibin duke qëndruar nën hije të Ka’bes, e lajmëroi e ky me të shpejt shkoi te shtëpia e Emines. Posa erdhi, ajo e informoi se kish parë ëndërr se si diçka e kish mësuar që fosh¬njen ta quaj Muhamed. Abdulmutalibi, kur e dëgjoi këtë, veproi si i tha Emineja.
Po ashtu, edhe Ibën Is’haku shënon se posa lindi i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, nëna e tij e dërgoi te Abdulmutalibi një njeri që t’i japë sihariqin.100 Kur erdhi, ajo ia rrëfeu atë që e kishte parë duke qenë shtatzënë, e lajmëroi për atë që iu tha për foshnjen e saj si dhe emrin me të cilin u urdhërua ta emërtojë foshnjen.

Nga ana tjetër, Ibën el-Kajjimi përmend se kjo te¬zë, gjegjësisht parja e ëndrës nga ana e Emines për emrin Muhamed, është e pabazë, por ai thekson se me këtë emër e quajti gjyshi i tij, i cili kur u pyet tha: “E quajta kështu që ta lavdërojnë Qielli e Toka”. Në këtë vijë është edhe Ekrem Dija el-Umerij, i cili të dhënën për ëndërrën e Emines, nënës së Muhamedit paqja e Zotit qoftë mbi të, që ta emërtojë atë me këtë emër e klasifikon të dobët, pasi nuk është vërtetuar me fakte të sakta (autentike).101 Po ashtu, edhe Muhamed Gazali pohon se Muhamedin, paqja e Zotit qoftë mbi të, me këtë emër e quajti gjyshi i tij, ndërsa Nasirudin Albani në fusnota të veprës së Muhamed Gazalit e përkrah këtë dhe shton: “e quajti kështu pasi e bëri sunet ditën e shtatë”.102

Këtu duhet theksuar edhe atë se data të cilën e shënuam në fillim rreth lindjes së Muhamedit paqja e Zotit qoftë mbi të, 12 Rebiul Evvel, është më e njohur dhe e popullarizuar mes njerëzve, e po ashtu, në te anojnë edhe pjesa më e madhe e historianëve. Përndryshe, edhe në këtë çështje historianët kanë dhënë mendime të ndryshme.

Hafidh ibën el-Xheuziju rreth kësaj shënon:”Të gjithë dijetarët janë unanim se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka lindur ditën e hënë të muajit Rebi¬ul Evvel, vitin e ngjarjes së elefantëve. Për sa i përket datës së atij muaji në të cilën u lind, dijetarët kanë katër mendime: mendimi i parë është se i Dërguari i Allahut u lind më 2 Rebiul Evvel, i dyti është se u lind më 8 Rebiul Evvel, i treti është se u lind më 10 Rebiul Evvel, ndërsa i katërti është se u lind më 12 Rebiul Evvel. Bejhekiu përmend prej transmetimit të Muha¬med ibën Is’hakut, i cili thotë: I Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka lindur ditën e hënë, vitin e elefantëve, më 12 të muajit Rebiul Evvel”.103

—————————————————————————-

99 Ibën Sa‘d, et-Tabakatu-l- kubra, Darussadir, Bejrut (pa vit botimi), vëll.I, fq. 103. Po ashtu, shih: Ibën Kethir, op. cit., fq.210-211.

100 Ibën Is’hak, op. cit., fq.97.

101 el-Xhevzijje, op. cit., fq.82; el-Umerij, op. cit., fq. 90. Po ashtu, shih: Ibën Kethir, op. cit., fq.212.

102 Gazali, Muhamed, Fikhu sire en-nebevijje, Darul kelam, Damask, 1989, fq. 59.

103 el-Xheuzij, Xhemaludin Ebil Ferxh ibën, Sifetu safve, Darul kutubil ilmije, Bejrut, 1989, vëll.I, fq. 24-25.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo