“Skandal në komunën e Tetovës”, BDI: Kujt iu “fshinë” 24 milionë denarë borxhe tatimore në mandatin e Bilall Kasamit?!
BDI – Dega në Tetovë ka reaguar lidhur me gjetjet e raportit përfundimtar të Entit Shtetëror për Revizion, duke ngritur shqetësime për administrimin e kërkesave tatimore dhe transparencën financiare të Komunës së Tetovës gjatë mandatit të kryetarit Bilall Kasami.
Sipas kumtesës së BDI-së, raporti i revizionit, i publikuar në qershor 2026, evidenton se gjatë kalimit nga sistemi LTAS në sistemin e ri “Komuna” janë fshirë kërkesa për tatimin në pronë në vlerë prej 23.323.000 denarësh.
BDI thekson se vendimi i Këshillit për azhurnimin e kërkesave nuk e kishte të specifikuar shumën që duhej të fshihej, ndërsa, sipas tyre, mungonin edhe dokumente të tilla si propozimi i komisionit të inventarizimit, arsyetimi dhe dëshmitë për parashkrim ose pamundësi të arkëtimit.
Në kumtesë, BDI i referohet gjithashtu vlerësimit të CEA-s për transparencën buxhetore për vitet 2025–2026, sipas të cilit Komuna e Tetovës kishte publikuar vetëm 2 nga 16 dokumentet e vlerësuara, ose 12,5 për qind, ndërsa transparenca tatimore ishte vlerësuar me 21 për qind, përcjell TS.
BDI Tetovë kërkon që të verifikohet baza ligjore dhe përgjegjësia institucionale për fshirjen e kërkesave tatimore, duke theksuar se çdo eventualitet i keqpërdorimit të pozitës zyrtare duhet të shqyrtohet nga institucionet kompetente.
“Raporti i revizionit nuk e zëvendëson hetimin penal, por gjetjet kërkojnë sigurimin e dokumenteve dhe verifikimin e përgjegjësisë së personave që kanë urdhëruar, autorizuar ose realizuar këto veprime”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Nga BDI kërkojnë që Bilall Kasami të japë përgjegjësi institucionale dhe politike për mënyrën e funksionimit të administrimit financiar dhe kontrolleve të brendshme në Komunën e Tetovës gjatë mandatit të tij.