Përfundojnë dëshmitë e prokurorisë për rastin “PULS”! Ekspertiza – Ministria e Ekonomisë nuk përmendet si përgjegjëse për objektin
Pas nëntë muajsh, ka përfunduar faza e dëshmive të propozuara nga Prokuroria në rastin “Puls” dhe ngadalë po qartësohet përgjegjësia për rastin. Gjatë kësaj periudhe janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe janë administruar prova materiale e verbale lidhur me rastin.
Një nga provat kryesore në procedurë është ekspertiza e objektit, e përgatitur nga shtatë ekspertë të Fakultetit të Ndërtimtarisë, të angazhuar me kërkesë të Prokurorisë.
Sipas ekspertizës, në pjesën që lidhet me përgjegjësinë e institucioneve, nuk është konstatuar përgjegjësi apo lëshim nga ana e Ministrisë së Ekonomisë. Ekspertët, sipas të dhënave të përfshira në materialin e ekspertizës, vlerësojnë se ministria nuk ka pasur kompetencë për kontrollin dhe inspektimin e objektit në fjalë.
Ekspertiza pritet të jetë një nga provat kyçe për vlerësimin e përgjegjësive në rastin “Puls”, ndërsa përmbajtja e saj tashmë është pjesë e materialeve të procedurës.
Me përfundimin e fazës së dëshmive të Prokurorisë, nga shtatori pritet të nisë faza e dëshmive të mbrojtjes. Në këtë fazë, pritet të paraqiten dëshmitë dhe argumentet e palëve mbrojtëse.
Vijimi i procesit pritet të nxjerrë në pah dhe qartësojë më tej përgjegjësitë individuale dhe institucionale në rastin që është nën hetim.