Pas Tabanocit, arkëtimi i gjobave për automjetet e huaja nis së shpejti edhe në Bllacë





Sistemi për pagesën e gjobave të detektuara automatikisht nga sistemi “Safe City” e që kanë të bëjnë me shtetasit e huaj filloi të zbatohet në vendkalimin kufitar në Tabanoc. Mirëpo, është vetëm çështje ditësh kur e njëjta do të fillojë të aplikohet edhe në vendkalimet tjera kufitare, përfshirë edhe Bllacën, thotë Zekirija Haxhiu, gazetar.

Ministria e Punëve të Brendshme po bën përgatitje për vendosjen e këtij sistemi edhe në vendkalimet e tjera kufitare me qëllim që shtetasit e huaj të cilët kanë kryer shkelje në komunikacion në territorin e vendit të mund të kryejnë pagesat gjatë daljes nga shteti. Nga MPB deri tani nuk kanë bërë të ditur se sa gjoba janë paguar nga 19 gushti deri më sot në Tabanoc por ky numër ka tejkaluar shifrën prej 1 mijë gjobave.

Për të lehtësuar procedurën e pagesës së gjobave, Ministria e Punëve të Brendshme ka vënë në funksion aplikacionin “Qyteti i Sigurt” (safecountry.mvr.gov.mk). Aplikacioni shërben vetëm për shtetasit e huaj, përkatësisht për pronarët dhe shoferët e makinave me targa të huaja. Përmes aplikacionit shtetasit e huaj do të munden të marrin informacione për shkelje në komunikacion, të marrin procesverbalin e shkeljes si dhe të paguajnë gjobat në formë elektronike. Nevojitet që shoferi të fotografojë pasaportën dhe të shkruajë targën e makinës.

“Pas hyrjes, nevojitet që shoferi të fotografojë apo të skanojë pasaportën dhe të vendosë regjistrimin e veturës apo veturave të cilat i shfrytëzon në shtetin tonë. Në këtë mënyrë, shoferët e huaj të cilët me veturat e tyre do të kryejnë shkelje në komunikacion në territorin e tërë shtetit do të munden që në kohë të informohen dhe të rregullojnë obligimin e tyre pa pasur nevojë që më tej të ndalojnë në vendkalimet kufitare”, tha Goce Andreevski – Zëdhënës i MPB.

Për shkak ndalimit për pagesë të gjobave, në vendkalimin kufitar në Tabanoc dy ditë me radhë janë krijuar kolona kilometrike. Pritje deri në dy orë janë regjistruar edhe në sportelet për pagesë të gjobave pasi procedura siç ankoheshin shtetasit e huaj, ka qenë e ndërlikuar dhe aplikacioni nuk ka punuar siç duhet. Siç njoftoi dje ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, në vendkalimin kufitar janë instaluar kamera të mençura të cilat detektojnë veturat që janë kapur nga sistemi “Safe City” dhe u jep sinjal policëve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo