Trump i zoton edhe 200 milionë për Gazën, priten automjete të blinduara për ushtarët nga Kosova e Shqipëria

Administrata e presidentit Donald Trump i ka njoftuar Kongresit se do të dërgojë më shumë se 206 milionë dollarë për një forcë të propozuar paqeruajtëse në Gaza, financimi i parë i rëndësishëm për planin e ngecur të SHBA-së për rindërtimin e enklavës së shkatërruar.

Në dy njoftime të datës 30 korrik, të siguruara nga Reuters, Departamenti amerikan i Shtetit e informoi Kongresin se do të sigurojë 200 milionë dollarë për pajisjet, infrastrukturën, automjetet dhe kostot operative të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF). Edhe 6 milionë dollarë të tjera do të përdoren për përshtatjen e automjeteve të blinduara amerikane në mbështetje të kësaj force, raporton Reuters, transmeton Periskopi.

Njoftimet, të cilat u janë adresuar komisioneve kryesore të Kongresit për ndarjet buxhetore dhe marrëdhëniet me jashtë, nuk ishin raportuar më parë.

Financimi përbën shpenzimin e parë konkret të SHBA-së për forcën paqeruajtëse dhe tregon vendosmërinë e administratës për të çuar përpara udhërrëfyesin e Trumpit për Gazën, edhe pse si Izraeli, ashtu edhe Hamasi kanë kundërshtuar kushtet e nevojshme për zbatimin e planit.

“ISF-ja do të udhëheqë operacionet e sigurisë, do të mbështesë çarmatimin gjithëpërfshirës dhe do të mundësojë dërgimin e sigurt të ndihmave humanitare dhe materialeve për rindërtim në Gaza”, thuhej në njërin prej njoftimeve, duke theksuar se përbërja përfundimtare e forcës ende po negociohej.

Plani i ngecur

Deri tani, pesë shtete janë zotuar për dërgimin e trupave për ISF-në: Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria, ndërsa Egjipti dhe Jordania janë zotuar të trajnojnë forcat policore. Ende nuk dihet se kur do të mund të dislokohen trupat.

Njoftimi i parë drejtuar Kongresit lidhej me financimin prej 200 milionë dollarësh. I dyti, po ashtu i datës 30 korrik dhe me vlerë rreth 6.3 milionë dollarë, thoshte se SHBA-ja do të përshtatë nëntë transportues të blinduar të personelit, të cilët fillimisht ishin destinuar për Nepalin, për t’i përdorur në mbështetje të ISF-së. Shqipëria dhe Kosova do të jenë përfitueset e para të këtyre pajisjeve, në kuadër të rolit të tyre në ISF.

Plani për armëpushim ka ulur dhunën në Gaza, por nuk i ka dhënë fund sulmeve izraelite dhe nuk ka siguruar çarmatimin e militantëve. Më shumë se 1,200 palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza që nga arritja e armëpushimit në tetor, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza dhe ushtrisë izraelite.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo