Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, e mirëpriti në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, Kristof Le Rigoler, ku u konfirmuan bashkëpunimi i shkëlqyer dhe përkushtimi i përbashkët për avancimin e sundimit të së drejtës dhe integrimin evropian të vendit.
Ministri Shasivari theksoi gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e përshpejtuar të reformave, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe detyrimet që lidhen me Klasterin 1 – Vlerat themelore.
“Franca është partneri ynë i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe përmbushjes së standardeve evropiane” – theksoi ministri Shasivari.
Veçanërisht u theksua mbështetja franceze përmes angazhimit të ekspertes Sesilia Maronje, e cila ofron mbështetje profesionale për Ministrinë e Drejtësisë në procesin e integrimit evropian.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë klimatike dhe mjedisore, në kuadër të projektit rajonal “Konvergjenca e drejtësisë klimatike dhe mjedisore” (CEJ Convergence).
Mbështetja e vazhdueshme profesionale dhe institucionale do të kontribuojë në krijimin e një sistemi gjyqësor më efikas dhe më të qasshëm për qytetarët.