Ish-këshilltari i ekspertit të sëmundjeve infektive Anthony Fauci, David Morens, pranoi të martën fajësinë në SHBA për një akuzë komploti për t’iu shmangur ligjeve mbi dokumentet publike dhe për të fshehur dokumente qeveritare që lidhen me financimin e kërkimeve dhe pandeminë COVID-19.
Morens, i cili kishte punuar nën drejtimin e Faucit si zyrtar i lartë në Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) gjatë pandemisë, e pranoi fajësinë gjatë një seance në gjykatën federale në Greenbelt, Maryland.
78-vjeçari ishte paditur në prill për akuza që lidhen me atë që prokurorët e përshkruan si një skemë për të penguar kërkesat për dokumente publike të marra nga agjencia, duke filluar në prill të vitit 2020, lidhur me grantet për kërkimin mbi COVID-19.
Morens përballet me deri në pesë vjet burg, ndërsa dënimi pritet të caktohet më 12 nëntor.
“Duke pranuar fajësinë sot, Dr. Morens ka marrë përgjegjësinë për atë që ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, deklaroi avokati i tij, Timothy Belevetz.
Pranimi i fajësisë vjen pasi Fauci, i cili drejtoi NIAID për 38 vjet dhe u bë një nga figurat kryesore të reagimit amerikan ndaj pandemisë, dëshmoi muajin e kaluar para një komisioni të Senatit.
Gjatë dëshmisë, Fauci iu referua në mënyrë të përsëritur të drejtës së tij për të mos dhënë përgjigje që mund ta implikonin, ndërsa akuzoi senatorin republikan Rand Paul se po zhvillonte një fushatë “të çmendur” për ta burgosur.
Prokurorët: Morens përdori emailin personal për të shmangur kërkesat për dokumente
Origjina e COVID-19 mbetet ende e pazgjidhur. FBI deklaroi në vitin 2023 se një rrjedhje nga një laborator në Wuhan kishte gjasa të ishte shkaku i pandemisë, pretendim që Kina e ka kundërshtuar.
CIA deklaroi në janar 2025 se një rrjedhje laboratorike ishte e mundshme, por me “besim të ulët”, ndërsa katër agjenci të tjera amerikane të inteligjencës dhe Këshilli Kombëtar i Inteligjencës vlerësojnë se virusi ka shumë gjasa të ketë kaluar te njerëzit përmes transmetimit natyror nga një kafshë.
Sipas prokurorëve, pranimi i fajësisë së Morens lidhet me vendimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH) për të anuluar një grant kërkimor mbi koronaviruset e lakuriqëve të natës.
Granti ishte lidhur me pretendimet se COVID-19 kishte dalë nga një laborator në Wuhan, ndërsa laboratori në Kinë kishte marrë një nën-grant nga kompania që kishte përfituar financimin fillestar.
Prokurorët thanë se Morens ishte zotuar të ndihmonte në rikthimin e grantit për kërkimet mbi koronaviruset e lakuriqëve të natës dhe të kundërshtonte narrativën se COVID-19 kishte rrjedhur nga një laborator.
Sipas akuzës, duke parashikuar se komunikimet e tyre mund të kërkoheshin përmes kërkesave të Freedom of Information Act (FOIA), Morens dhe persona të tjerë ranë dakord të përdornin adresën e tij personale të emailit në vend të adresës zyrtare qeveritare për komunikimet.