Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, mbrëmë mori pjesë në koncertin me të cilin u përmbyll programi muzikor i edicionit të 66-të të festivalit “Vera e Ohrit”.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se festivali edhe këtë vit ofroi një program të pasur dhe takime me artistë të shquar nga vendi dhe bota.
“Me interpretimin e kuartetit ‘Glam’ nga Polonia dhe pianistit Sten Brekenrixh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmbyllim programin muzikor të edicionit të 66-të të festivalit ‘Vera e Ohrit’. Nga mbrëmja e parë e deri më sot, Ohri ishte skenë ku u takuan kultura, tradita dhe shprehje të ndryshme artistike, nën qiellin e hapur dhe në hapësira me histori shekullore. Ky është thelbi i ‘Verës së Ohrit’ – përmes artit t’i lidhë njerëzit dhe të hapë horizonte të reja”, tha Sulejmani.
Ai iu referua edhe fillimit të edicionit të sivjetmë të festivalit, i cili nisi me gala-koncertin “Dashuri”, me interpretimet e Ermonela Jahos nga Shqipëria dhe Çarlls Kastronovo nga SHBA-ja, të shoqëruar nga orkestra e Operës dhe Baletit Nacional, nën dirigjimin e Marko Boemit.
“Ky edicion i festivalit la pas një numër të madh koncertesh, shfaqjesh dhe takimesh me artistë të shquar. Numri rekord i vizitorëve është vetëm konfirmim se publiku e njeh vlerën e festivalit dhe se kultura zë vend të rëndësishëm në shoqërinë tonë”, theksoi ministri.
Sulejmani theksoi se Ministria e Kulturës dhe Turizmit mbetet partnere dhe mbështetëse e festivalit, i cili për më shumë se gjashtë dekada është një nga shtyllat e jetës kulturore maqedonase.
“Është detyrimi ynë ta ruajmë këtë traditë, ta mbështesim cilësinë e lartë artistike dhe të krijojmë kushte që ‘Vera e Ohrit’ të vazhdojë të rritet, të zhvillohet dhe të jetë festival i hapur për të gjithë, për çdo gjeneratë, për çdo artist dhe për çdo dashamirës të artit”, tha Sulejmani.
Me këtë koncert u mbyll programi muzikor, ndërsa sipari i edicionit të 66-të të “Verës së Ohrit” do të ulet sonte me mjuzikëllin maqedonas “Kao kakao”, të frymëzuar nga muzika e Vllatko Stefanovskit.




