Mickoski: Synimi i LSDM-së për Gostivarin nuk është të kërkohet përgjegjësi, por të politizohet çështja

„Si qytetar, mendoj se përgjegjësia nuk duhet të përfundojë te këta tre persona. Mendoj se hapësira për zgjerimin e hetimit është shumë më e madhe se këta tre persona, por njëkohësisht, bazuar në informacionet që posedoj, e di se në të kaluarën ka pasur më shumë se 400 raporte të tilla, jo vetëm për Gostivarin, por edhe për komuna të tjera, lidhur me cilësinë e mirë apo të keqe të ujit, ndërsa atëherë institucionet nuk kanë vepruar fare. Dhe është logjike të hetohet pse nuk kanë vepruar, pse ata persona që i kanë drejtuar ato institucione nuk kanë vepruar, andaj e shfrytëzoj këtë rast ta ftoj Prokurorinë t’i drejtohet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe t’i kërkojë këto raporte, që të shohim pse nuk është vepruar deri më tani. Po flas për raste kur në dorë keni raporte të vitit 2018, 2019“, tha kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistën për „Tema e ditës“ e transmetuar në edicionin qendror të lajmeve në TV Sitel.

Lidhur me sulmet e opozitës dhe kallëzimet penale të LSDM-së ndaj funksionarëve aktualë të sektorit shëndetësor, Kryetari i Qeverisë, Mickoski, theksoi se synimi i LSDM-së për Gostivarin nuk është të kërkohet përgjegjësi, por të politizohet çështja dhe të bëhet spektakël mediatik.

„Ndërkaq, këtu duhet t’i japim përgjigje një pyetjeje tjetër, për të cilën LSDM-ja deri në këtë moment nuk ka dhënë përgjigje për atë se nëse ata persona janë përgjegjës, atëherë të themi se kryetari i Komunës së Gostivarit nuk ka përgjegjësi, sepse kompetenca për këtë veprimtari i takon ndërmarrjes komunale, jo shtetit. Shteti nuk e përpunon ujin, nuk e dërgon në sistem dhe nuk ua shet konsumatorëve, por këtë e bën ndërmarrja lokale e ujësjellësit, e cila është në kompetencë të drejtpërdrejtë të komunës. Pse e them këtë? Nuk e them për ta hedhur fajin, por për të thënë se synimi i LSDM-së nuk është në drejtim të kërkimit të përgjegjësisë, por të politizohet e gjithë çështja dhe të bëhet spektakël mediatik“, porositi Mickoski.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo