Haradinaj kërkon llogari për qymyrin: Sa po ia shesim Maqedonisë dhe sa ia blejmë rrymën?

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes për furnizimin e Maqedonisë së Veriut me qymyr nga Kosova, duke kërkuar transparencë të plotë për kushtet dhe vlerën e kontratës.

Në një postim publik, Haradinaj ka deklaruar se për këtë çështje kishte paralajmëruar që para dy muajsh, ndërsa marrëveshjen e ka cilësuar si të dëmshme për pasurinë e Kosovës, shkruan gazeta KOHA. Sipas tij, është e papranueshme që Kosova, e cila shpenzon shuma të mëdha për importin e energjisë elektrike, në të njëjtën kohë t’i shesë qymyr njërit prej shteteve nga të cilat furnizohet me energji.

“Ne blejmë rrymë mbi 1 miliard euro dhe i shesim qymyr njërit nga shtetet prej të cilit blejmë rrymë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka hedhur akuza të rënda lidhur me marrëveshjen, duke pretenduar se për procesin ka qenë i informuar dhe i përfshirë drejtpërdrejt edhe kryeministri në detyrë. Haradinaj i ka bërë thirrje Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që ta publikojë kontratën dhe të bëjë të ditur çmimin me të cilin do të shitet qymyri.

“KEK-u ta publikojë kontratën e vlerës së shitjes”, ka kërkuar ai. Njëkohësisht, Haradinaj kërkon që institucionet të publikojnë edhe të dhënat për vlerën e energjisë elektrike që Kosova e importon nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se kostoja e saj përfundimisht paguhet nga qytetarët.

“Po ashtu, të publikohet vlera se sa ia blejmë rrymën Maqedonisë së Veriut, nga xhepi i qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka insistuar që çështja të mos mbetet pa transparencë dhe pa përgjigje institucionale.

“Kjo nuk duhet të kalojë në heshtje”, ka përfunduar Haradinaj.

Ndryshe, sot, Elektranat e Maqedonisë së Veriut (SHA EMV) kanë nënshkruar marrëveshje strategjike trevjeçare me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), përmes së cilës sigurohet furnizim i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm me qymyr për nevojat e termocentraleve në Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja, e cila thuhet se vjen pas negociatave intensive dhe një vendimi të Qeverisë, i jep EMV-së koncesion në minierën e Obiliqit dhe mundësi për eksploatimin e rreth 3 milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve. Çmimi është fiksuar në 24.4 euro për ton.

Sipas EMV-së, përdorimi i qymyrit nga Kosova do të rrisë efikasitetin e termocentraleve dhe pritet të sjellë rreth 800 gigavat-orë energji elektrike shtesë në vit, me të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh. Gjithashtu, pritet të ulet përdorimi i mazutit dhe emetimet e CO₂.

“Gjatë konsolidimit aktual të minierave, nevojat e vlerësuara vjetore për blerjen e qymyrit, si plotësim i prodhimit vendor, janë rreth 1.4 milionë tonë. Megjithatë, për shkak të kapacitetit të pikës kufitare Bllacë, nga KEK-u realisht mund të priten rreth 800 mijë tonë në vit”, tha drejtori i përgjithshëm i AD ESM-së, Lazo Uzunçev.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo