Erdogani nuk mendon të pensionohet, prezenton vizionin e ri dhe lutet Zoti t’i jep jetë

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan prezantoi vizionin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) për 25 vitet e ardhshme, gjatë fjalimit të tij me rastin e 25-vjetorit të themelimit të partisë. Përvjetori u shënua me një tubim të madh në parkun “Millet Bahçesi” në Ankara, ku morën pjesë mbi 100 mijë persona. .

“Po fillojmë nga e para. Kjo lëvizje, ky ekip, këta të rinj, fëmijët dhe nipërit e tyre do ta çojnë Turqinë fillimisht drejt vitit 2053 dhe më pas drejt vitit 2071. Unë do të vazhdoj të përpiqem t’i shërbej Turqisë. Do të vazhdoj të punoj për Turqinë me të njëjtën dashuri dhe pasion”, deklaroi Erdogan.

Mediat raportojnë se vitet e përmendura nga Erdogan nuk janë zgjedhur rastësisht. Në vitin 2053 shënohen 600 vjet nga pushtimi i Kostandinopojës nga osmanët, ndërsa në vitin 2071 do të shënohen 1.000 vjet nga fitorja e turqve selxhukë ndaj Perandorisë Bizantine në betejën e Manzikertit (Malazgirtit). Presidenti turk i përmendi këto përvjetorë edhe si afate për realizimin e objektivave të ndryshme në zhvillimin e shtetit dhe kombit turk.

Erdoгan prezantoi vizionin e AKP-së, i cili, sipas tij, është një dokument prej 69 faqesh ku përcaktohen prioritetet e partisë për çerekshekullin e ardhshëm.

Me vizionin që ndajmë sot, në 25-vjetorin tonë, do të vazhdojmë t’i shndërrojmë ëndrrat në objektiva dhe objektivat në realitet”, tha ai.

Vizioni përfshin 10 fusha, mes tyre prodhimin me vlerë të lartë të shtuar, sovranitetin digjital, sistemin gjyqësor, një kushtetutë të re, politikat familjare dhe sociale, pozitën e grave dhe të rinjve, si dhe tranzicionin e gjelbër.

Erdoгan u ndal veçanërisht te iniciativa qeveritare “Turqia pa terrorizëm”, duke thënë se vendi po shkon drejt zgjidhjes së një problemi që për më shumë se 40 vjet ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.

Presidenti turk, i cili prej 25 vitesh është lideri i padiskutueshëm i AKP-së, tha se ka kaluar 50 vite në politikë dhe se synon të mbetet aktiv.

“Nëse Zoti më jep shëndet dhe jetë të gjatë, do të vazhdoj t’i shërbej Turqisë dhe popullit tim me dashuri edhe për shumë vite”, tha ai.
Gjatë aktivitetit, tre deputetë të opozitës dhe shtatë kryetarë komunash iu bashkuan AKP-së, ndërsa Erdoğan personalisht ua vendosi simbolet e partisë.

AKP-ja u themelua më 14 gusht 2001 dhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 u bë parti qeverisëse, pozitë që e ka ruajtur deri më sot.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo