Sikur njëra palë ta kishte qëllimin e mirë për krijimin e institucioneve shtetërore, do të arrihej më lehtë deri tek kompromisi politik, por, e keqja është se, as partia fituese dhe as ato humbëse të zgjedhjeve, mendjen nuk e kanë tek shteti por tek ‘grazhdi’ i pushteti!
Qëllimi i Kurtit prolongimi, i opozitës përafrimi i zgjedhjeve
Paradoksalisht, pas betimit të deputetëve në Kuvend, është ndërprerë seanca konstituive e Kuvendit në momentin e zgjedhjes së Kryeparlamentarit! Partia fituese e zgjedhjeve nuk po dëshiron të bëjë nominimin e Kryetarit të Kuvendit, si kusht i nevojshëm dhe i domodoshëm për pasimin e zgjedhjes së zv. Kryetarëve dhe konstituimin e plotë të Kuvendit! Në anën tjetër edhe opozita e ndarë nuk është aspak imponuese në vazhdimin e punës së Kuvendit!
Në këtë situatë bllokuese Kosova ka mbetur pa Ushtrues Detyre të Presidentit, pa Komandantin Suprem të FSK-së, pa Kryesi dhe pa Kryetar të Kuvendit, pa Kryeministër dhe pa Qeveri!
Kjo situatë bllokuese, për më tepër se vakum institucional, paraqet rrënim me vetëdëshirë të sistemit politik në vendin tonë dhe jo vetëm.
Sikurse partia fituese (LVV) që është duke kalkuluar me dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, edhe opozita parlamentare (PDK, LDK dhe AAK) po e bën të njëjtën gjë!
Sikurse pushteti (partia fituese), edhe partitë opozitare (humbëse të zgjedhjeve) po e fajësojnë me të drejt njëra-tjetrën!
Partia fituese, në këtë rast, lideri i saj, Albin Kurti me çdo kusht po mundohet ta prolongojë sa më gjatë që të jetë e mundur krijimin e institucioneve të reja!
Mirëpo, opozita ka qëllim tjetër-mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme!
Partitë opozitare me të drejt po e akuzojnë Albin Kurtin për prolongim të qëllimshëm të krijimit të Qeverisë, siq e thonë ato: “për dërgimin e vendit në zgjedhje në fund të këtij viti me qëllim të ngritjes elektorale nga mërgata siq kishte ndodhur vitin e kaluar më 28 dhjetor”!
Ky është një paragjykim i gabuar i opozitës, për faktin e thjeshtë, se edhe nëse partia e Albin Kurtit ngritet edhe 100 mijë vota, prapë se prapë nuk mund t’i ketë 2/3 e votave të nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit dhe as të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare!
Arsyeja pse nuk e do Albin Kurti krijimin e Qeverisë
Sipas mendimit tim, të bazuar në logjikën e të menduarit analitik të ngjarjeve, qëllimi i Albin Kurtit është ikja e përgjegjësisë politike para ndërkombëtarëve!
Albin Kurti e di mirë, se në momentin e zgjedhjes Kryeministër i Republikës së Kosovës, nga ndërkombëtarët do të merrë ftesa urgjente nga Brukseli dhe Uashingtoni për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, të bazuar në marrëveshjet paraprake në këto dy vende dhe në aneks-marrëveshjen e Ohrit, të cilat do ta determinojnë saktësisht dhe përfundimisht çështjen e pazgjidhur serbo-shqiptare në Ballkan!
Prandaj, Albin Kurtit i pëlqen “Status quo”-ja e qeverisjes së vendit si kryeministër në detyrë!
Se a është shkellje kushtetuese apo jo mbajtja e postit të kryeminstrit në detyrë dhe ajo e deputetit njëkohësisht, kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese dhe e organeve të drejtësisë!
Mirëpo, unë siq qytetarë i vendit dhe analist i vëmendshëm i zhvillimeve politike, e kam të drejtën t’i ngrisë si çështje urgjente: konstituimin e plotë të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, për ta nxjerrur vendin nga vakumi institucional!
Kthimi sa më parë i vendit nga gjendja kaotike në normalitet duhet të jetë shqetësim i të gjithë qytetarëve dhe mërgimtarëve që ia duan të mirën Kosovës.
Fajtorët kanë emër-LVV, PDK, LDK, AAK
Siq e kam cekur edhe në shkrimet paraprake, faji për moszgjedhjen e institucioneve të reja shtetërore nuk është jetim!
Fajtore në radhë të parë është partia fituese (LVV), por, pa përgjegjësi nuk janë as opozita e ç’akorduar (PDK, LVV dhe AAK), të cilat assesi nuk po arrijnë të dakordohen për një qëndrim të përbashkët!
Përderisa partia e parë opozitare (PDK) e ka zgjedhur rrugën e protestave si mjet për kushtëzimin e Albin Kurtit, partia e dytë opozitare (LDK) po vazhdon me qëndrimet kontraverse para mediave dhe në studiot televizive, të cilës nuk i beson më askush! Në anën tjetër partia e tretë dhe dukshëm më e vogla në numra (AAK) insiston në “gjashtëpikëshin e famshëm”, duke të rikujtuar “6 pikat e Ban Ki-moon” të cilat asnjëherë nuk janë realizuar nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë!
E vërteta doli haptas në shesh, asnjëra nga partitë nuk e kanë hallin e shtetit dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve (mërgimtarëve), por të pushtetit, përkatësisht të qënurit pranë ‘grazhdit’ të pushtetit për të zhvatur paratë e taksapaguesve të varfër të Republikës së Kosovës.
Përfundimisht, duhet t’iu themë lexuesve të rreshtave të mësipërm dhe qytetarëve (mërgimtarëve), se për të ardhur më lehtë deri tek ndryshimi i madh dhe substancial në vendin tonë, duhet t’i themi gjërat ashtu siq janë e jo siq i duam, pavarësisht i pëlqejnë apo jo pushtetit dhe partive opozitare!
Florim Zeqa, analist i pavarur politik.