Adri Nurellari
Kur Naum Veqilharxhi, ideologu dhe dëshmori i parë i Rilindjes Kombëtare, artikuloi dhe skicoi idenë embrionale në vitin 1845 për projektin kombëtar (E parathënme mbi djelmt e rinj shqiptarë) ai hodhi themelet e një vetëdijeje të re, shkeli në një shteg të pa-rrahur, duke kërkuar emancipimin kulturor, krijimin e një alfabeti të veçantë shqip dhe tejkalimin e përçarjeve fetare e krahinore që i mbanin të ndarë shqiptarët. Ai i dha kombit tonë zërin e parë shpirtëror dhe gjuhësor por sot ajo traditë nuk mjafton. Ndërsa trashëgojmë atë projekt historik, patriotizmi ynë ka mbetur disi i penguar te format tradicionale të abstraksioneve dhe nuk ka evoluar mjaftueshëm për t’iu përshtatur sfidave dhe nevojave të kohës. Për dekada, jemi mësuar ta masim përkushtimin tonë ndaj vendit vetëm përmes flamujve të ngritur në festat kombëtare, tifozllëkut nëpër stadiume, himneve të kënduara në oborret e shkollave, narrativave heroike të gdhendura në monumente guri dhe pacenueshmërisë së vijave të vizatuara në hartat politike.
Megjithatë, këto simbole kanë padyshim një rëndësi të jashtëzakonshme; ato shërbejnë si pikë graviteti për kujtesën tonë kolektive dhe ofrojnë një fjalor të përbashkët përkatësie që na lidh me rrënjë të thella me të kaluarën. Por ato janë, në vetvete, të paplota dhe të pamjaftueshme për sfidat e epokës sonë. Një atdhe nuk është kurrë thjesht një ide abstrakte, një gjuhë e folur apo një tekst historik i shkruar në libra. Një vend është gjithashtu, dhe mbi të gjitha, një realitet fizik i prekshëm, një hapësirë fizike specifike toke, uji, ajri, faune dhe flore që na mbështet jetën, na paraprin për shekuj me radhë dhe na mbijeton shumë kohë pasi ne të jemi larguar në botën e përtejme.
Prandaj kur flasim për kuptimin e patriotizmit në botën e sotme, ne përballemi me një paradoks të thellë, të dhimbshëm dhe shpesh të shpërfillur. Ne shprehim me fjalë të mëdha dashuri të thellë dhe të pakushtëzuar për vendin tonë, ndërkohë që qëndrojmë të heshtur dhe duarkryq teksa themelet e tij fizike shiten në ankand në mënyrë sistematike, mbulohen brutalisht me asfalt, digjen nga zjarrvëniet e qëllimshme, ndoten pa kriter dhe zbrazen nga çdo kuptim jetësor për përfitime financiare afatshkurtër të një grushti njerëzish grykës e të paskrupullt. Nëse patriotizmi është me të vërtetë dashuri për vendin, atëherë dashuria për vendin nuk mund të shkëputet dhe duhet të përfshijë logjikisht dhe domosdoshmërisht dashurinë për tokën, pyjet, lumenjtë dhe detet që e bëjnë atë vend të mundur dhe të banueshëm.
Prandaj Shqiperise sot i duhet nje botëkuptim me i gjere e bashkëkohor i patriotizmit ku përfshihet koncepti i patriotizmit mjedisor. Me këtë koncept, ne nuk nënkuptojmë kurrë kthimin e mbrojtjes së natyrës në një çështje të ngushtë, teknokratike apo burokratike mjedisore, dhe aq më pak në një vend ekskluziv vetëm për aktivistë elitarë kozmopolitanë snob të shkëputur nga realiteti i përditshëm. Përkundrazi, këtu nënkuptoj transformimin rrënjësor të konservimit të natyrës në një identitet qytetar të gjerë, gjithëpërfshirës dhe kombëtar. Argumenti kryesor që mbështet këtë vizion është i thjeshtë, i palëkundur dhe urgjent që kjo tokë e vaditur me gjak heronjsh, e lotë nënash të dëshmorëve ka vlerë e peshë që shkon përtej përditshmërisë e drejt përjetësisë. Një komb nuk përbëhet vetëm nga flamuri, gjuha, historia dhe kufijtë e tij administrativë por është gjithashtu trashëgimia fizike e gjallë që përmbahet brenda atyre kufijve gjeografikë. Prandaj, mbrojtja e vërtetë e vendit do të thotë mbrojtja e asaj që brezat e ardhshëm do të trashëgojnë në të vërtetë kur të vijë koha e tyre. Nëse malet tona zhvishen nga pyjet, lumenjtë helmohen nga mbetjet industriale, lagunat tona të mbrojtura thahen dhe bregdetet privatizohen e shkatërrohen, çfarë i mbetet atdheut për t’u përcjellë më pas pasardhësve? Një guaskë e zbrazët e një harte, një territor i shkretuar që mban vetëm një emër historik, por që ka humbur çdo substancë jetësore. Për më tepër do të linte njëfarë zhgënjimi tek pinjollët tanë për këtë brez aktual që stafetë iu ka lënë vetëm mjerim e shkatërrim.
Askush nuk do ta pranonte argumentin se një qeveri ka të drejtë të shkatërrojë një kala mesjetare, ta zëmë të Beratit apo Shkodrës, vetëm sepse ajo gjendet brenda territorit që administron, sepse të gjithë intuitivisht kuptojmë se trashëgimia kulturore nuk i përket vetëm brezit që jeton sot pasi ne jemi vetëm trashëgimtarë kalimtarë. E njëjta logjikë duhet të vlejë plotësisht edhe për trashëgiminë natyrore.
Një pyll shekullor trashëgimi e UNESCO si ai i luginës së Gashit, një lumë i egër biosferë e UNESCO-s si Vjosa, një lagunë e Ramsarit si Karavastaja apo një kilometër bregdet si plazhi i Dalanit në Nartë nuk janë thjesht sasi druri për t’u nxjerrë, energji për t’u prodhuar, metra katrorë për t’u monetizuar apo potencial për beton. Ato janë kapital natyror i akumuluar për periudha që shkojnë shumë përtej jetës së një qeverie, një kompanie apo një brezi shqiptarësh. Ne jemi thjesht administratorë të përkohshëm të një territori që ekzistonte përpara nesh dhe që, shpresojmë, do të ekzistojë edhe pas nesh (nëse Zoti na jep mjaftueshëm mend e ndërgjegje për ta kuptuar rolin tonë). . Prandaj duhet ngritur pyetja, se nga buron guximi dhe vetëbesimi i kësaj qeverie dhe i klientëve të saj kalimtarë për t’i dhënë vetes të drejtën të ndërtojnë me kaq ngut pothuajse gjithë bregdetin, sikur Shqipëria t’u përkiste vetëm atyre dhe vetëm sot? Çfarë do t’u lënë brezave që vijnë dhe kush ua ka dhënë mandatin për të konsumuar brenda pak vitesh një trashëgimi natyrore që është krijuar përgjatë shekujve?
Në gjuhën tonë amtare, fjala atdhe nuk ka qenë kurrë thjesht një vijë kufiri në hartë por mban një peshë të thellë shpirtëror. Nuk është aspak rastësi që poeti ynë më i madh romantik i Rilindjes, Naim Frashëri, i këndoi me aq zjarr natyrës shqiptare, duke e parë atë jo si një sfond të vdekur, por si vetë shpirtin e gjallë të vendit. Për të dhe për traditën tonë më të mirë “Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar” mishëronin atdheun. Edhe te Gjergj Fishta, natyra nuk është thjesht dekor i historisë kombëtare, por hapësira ku marrin kuptim liria, qëndresa dhe identiteti: “N’ato bjeshkë, ku rritet trimnia, ku flet era e ku gjëmon malësia, ku shkëmbi gurgun e lartë e ngre në re, aty rron fitorja, aty liria rron me fe.”
Atdheu pra nuk është thjesht një koncept politik abstrakt që ekziston vetëm në fjalimet e politikanëve; ai është gjithashtu lumi Osum që çan kanionin e thellë në shkrepat e Skraparit, 2 vargmalet madhështore të jugut që strehojnë fshatra e lashta të Zagorisë, laguna bregdetare të Vilunit e Kune-Vainit në veri që jehojnë pambarimisht me thirrjet e zogjve shtegtarë, pyje mesdhetare me pishe mbi duna ranore, të zonës Pishe-Poro – grykëderdhja e Vjoses në Perëndim që rregullojnë dhe mbrojnë klimën tonë të brishtë, dhe toka bujqësore pjellore në luginën e Drinit të Bardhë në Lindje që ushqen me mund familjet tona brez pas brezi. Kur këto peizazhe unike shkatërrohen ose degradohen për hir të interesave privat të njerëzve afër qeverisë, kjo fatkeqësi shpesh na shitet në komunikimin politik me maskën e “zhvillimit ekonomik’.
Ky nuk është aspak zhvillim pa kosto por konsumi i pamatur dhe i pariparueshëm i trashëgimisë sonë kombëtare. Kur lejojmë që pasuritë e përbashkëta natyrore të trajtohen si mallra të disponueshme dhe të shitshme, ne po shesim fjalë për fjalë argjendarinë e bizhuteritë e familjes për të paguar shpenzimet e ditës së sotme, duke mos lënë absolutisht asgjë për nesër. Patriotizmi mjedisor pikërisht këmbëngul me forcë se përbërësit fizikë të vendit tonë i përkasin kombit në tërësi, qoftë atyre që jetojnë sot mbi këtë tokë dhe atyre që ende nuk kanë lindur por që kanë të njëjtën të drejtë mbi të. Pra të shëmtosh, shesësh, deformosh dhe të shkatërrosh peizazhin kombëtar do të thotë në të vërtetë të shëmtosh dhe të shkatërrosh vetë vendin dhe të tradhtosh atë lidhje të shenjtë që Naimi e Fishta e shihnin si themelin e jetës dhe të shpirtit shqiptar.
Në vijim duhet sqaruar se nga pengesat më të mëdha për mbrojtjen efektive ekologjike ka qenë gracka e polarizimit politik dhe etiketimit ideologjik. Për një kohë të gjatë, ambientalizmi është paraqitur (shpesh padrejtësisht nga kundërshtarët, por ndonjëherë edhe gabimisht nga vetë praktikuesit e tij) si një projekt ekskluziv i së majtës urbane ose teknokratëve të drejtuar nga OJQ-të. Ky kornizim i gabuar është edhe i pasaktë në realitet edhe fatal për trashëgiminë natyrore. Natyra nuk kërkon kartën tuaj të anëtarësimit partiak përpara se t’ju sigurojë ajër të pastër për të marrë frymë ose ujë të freskët e të pastër për të pirë. Ambientalizmi i vërtetë dhe i qëndrueshëm duhet domosdoshmërisht të kapërcejë të gjitha ndarjet partiake sepse natyra nuk është as e majtë, as e djathtë.
Një konservator mund dhe duhet të mbrojë me krenari peizazhet e trashëguara, gjeografinë kulturore të vendit dhe ruajtjen e vazhdimësisë kombëtare kundër një komercializmi kaotik dhe pa rrënjë që shkatërron gjithçka para vetes. Në të njëjtën kohë, për liberalin klasik (siç është autori i këtij teksti), duke mbrojtur natyrën mbron të drejtat e pronës, sundimin e ligjit dhe tregun e vërtetë të lirë kundër kroni-kapitalizmit klientelist dhe monopoleve të falura nga shteti. Për të, grabitja e pasurive publike dhe natyrore përmes koncesioneve korruptive nuk është treg i lirë, por një shkelje flagrante e barazisë para ligjit dhe një zhvatje e të mirave që u përkasin të gjithë qytetarëve. Përkrah tij, një socialdemokrat mund të mbrojë të mirat e përbashkëta, drejtësinë shoqërore dhe mbrojtjen e pasurive publike kundër shfrytëzimit korporativ që dëmton mirëqenien e shumicës. Pra mund të mos biem dakord për taksat, madhësinë e shtetit apo politikat social-ekonomike, por ama mund të bashkohemi për të mbrojtur të njëjtin lumë, pyll apo bregdet. Vjosa nuk është e majtë, Narta nuk është e djathtë dhe flamingot nuk kanë teserë partie.
Kjo e bën patriotizmin mjedisor potencialisht gjithëpërfshirës në një shoqëri thellësisht të polarizuar. Fermeri që mbron tokën dhe ujin, peshkatari që jeton nga laguna, sipërmarrësi që e kupton natyrën si kapital ekonomik, banori që mbron vendin ku është rritur, studenti i shqetësuar për të ardhmen dhe patrioti që nuk pranon shkatërrimin e peizazhit kombëtar mund të qëndrojnë në të njëjtën anë pa hequr dorë nga bindjet e tyre të tjera. Kjo kauzë nuk kërkon uniformitet politik; përkundrazi, u krijon njerëzve që mendojnë ndryshe një truall të përbashkët mbi të cilin mund të veprojnë së bashku.
Kjo na çon tek një problem tjëtër që ka pasur deri më sot ambientalizmi abstrakt i cili shpesh ka dështuar s në të kaluarën sepse ndihet i shkëputur nga realiteti i gjallë njerëzor. Grafikët e komplikuar, objektivat globale të temperaturës dhe deklaratat burokratike të lëshuara nga zyra të largëta nuk arrijnë të trazojnë shpirtin e njeriut të thjeshtë. Çdo luftë e qëndrueshme mjedisore ka nevojë për fytyra të vërteta dhe lokale që përfaqësojnë shpirtin e komunitetit. Kur një organizatë me financim të huaj në kryeqytet lëshon një raport teknik, ajo hidhet poshtë lehtësisht nga aktorë cinikë politikë si një produkt i shkëputur, i importuar ose elitar. Por kur një peshkatar vendas ngrihet me guxim për të mbrojtur lagunën e tij, kur një fermer i tërë jetës mbron ujin e vaditjes së arave të komunitetit të tij kundër devijimit të paligjshëm, ose kur një banor i zonës lufton me mish e me shpirt për ta mbajtur një pyll apo një plazh lokal të hapur për publikun, dinamika ndryshon rrënjësisht dhe përgjithmonë. Këta individë janë jashtëzakonisht të vështirë për t’u hedhur poshtë me cinizëm si ambientalistë abstraktë, sepse ata janë thjesht qytetarë që mbrojnë shtëpitë e tyre, mjetet e tyre të jetesës dhe realitetin e tyre të përditshëm. Prandaj patriotizmi mjedisor rrënjoset thellë në parimin se komunitetet lokale janë dhe duhet të jenë kujdestarët parësorë të mjedisit të tyre rrethues. Fuqizimi i këtyre zërave lokalë transformon një betejë të zakonshme nga lart-poshtë në një mbrojtje thelbësore të mbijetesës dhe dinjitetit njerëzor.
Dhe prej këtu shkojmë në shtyllën e katërt që na fton të lidhim ngushtë ekologjinë edhe me sovranitetin kombëtar. Degradimi mjedisor është rrallë herë thjesht një gabim teknik ose ekologjik; ai është pothuajse gjithmonë një dështim i thellë qeverisjeje dhe demokracie. Prandaj, pyetja më e fortë dhe më domethënëse që mund të bëjmë në çdo mosmarrëveshje mjedisore nuk është thjesht nëse kjo do ta dëmtojë apo jo natyrën. Në vend të kësaj, pyetjet më të fuqishme janë thellësisht politike: kush vendosi përfundimisht se çfarë ndodh me tokën tonë, kush përfiton vërtet dhe në mënyrë të padrejtë nga ky projekt, dhe kush i paguan në fund kostot e fshehura dhe afatgjata të këtij shkatërrimi? Duke e rivlerësuar çështjet ekologjike përmes këtyre pyetjeve thelbësore, ne e lidhim mbrojtjen e mjedisit direkt me demokracinë, transparencën e institucioneve, luftën kundër korrupsionit, të drejtat e patjetërsueshme të pronës dhe vetëqeverisjen lokale. Kur një plazh publik grabitet dhe rrethohet për t’i shërbyer një resorti privat, ose kur një lumë i tërë futet në tuba për të prodhuar energji për një hidrocentral privat kundër vullnetit të qartë të vendasve, ky nuk është thjesht një sulm i rëndë ndaj natyrës, por është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vetë sovranitetit të qytetarëve. Kush mund të konsiderohet sovran i vërtetë i këtij vendi nëse një grup i vogël elitash ekonomike dhe politike mund të ndryshojë përgjithmonë gjeografinë e kombit pa marrë kurrë pëlqimin e publikut? Mbrojtja e mjedisit është, në thelb të saj më të pastër, një luftë epike për të rimarrë sovranitetin publik mbi territorin tonë.
Pikërisht këtu, te sovraniteti i qytetarëve mbi territorin e tyre, patriotizmi mjedisor lidhet natyrshëm me kuptimin më të hershëm të projektit tonë kombëtar. Ai nuk kërkon të zëvendësojë patriotizmin tradicional, por ta zgjerojë dhe ta përshtatë me sfidat e shekullit XXI. Veqilharxhi dhe rilindësit e kuptuan se sfida e brezit të tyre ishte t’u jepnin shqiptarëve gjuhë, vetëdije dhe një projekt të përbashkët kombëtar. Sfida e brezit tonë është të mos lejojë që vendi për të cilin ata luftuan të mbetet vetëm emër, flamur dhe hartë, ndërsa territori i tij real konsumohet, privatizohet dhe tjetërsohet pak nga pak.
Ne nuk jemi pronarët përfundimtarë të Shqipërisë, por një brez kalimtar në historinë e saj. Kemi të drejtë ta zhvillojmë dhe ta përdorim, por jo ta konsumojmë deri në fund. Mbrojtja e natyrës nuk nënkupton ngrirjen e vendit në kohë apo kthimin e tij në muze; nënkupton që zhvillimi i sotëm të mos ua heqë brezave të nesërm mundësinë për të gëzuar dhe vendosur mbi trashëgiminë e tyre. Asnjë qeveri, kompani apo grup klientësh të përkohshëm nuk mund t’i japë vetes mandatin për të marrë vendime të pakthyeshme mbi një pasuri që nuk i përket vetëm së tashmes.
Këtu bashkohen natyrshëm patriotizmi, ekologjia dhe sovraniteti. Të mbrosh natyrën do të thotë të mbrosh territorin; të mbrosh territorin do të thotë të mbrosh të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi të. Pyetja, pra, nuk është vetëm sa pemë do të priten, sa kilometra bregdet do të betonizohen apo sa lumenj do të devijohen, por diçka shumë më themelore: kush ka të drejtë të vendosë se çfarë Shqipërie do të mbetet pas nesh?
Ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi bashkëkohor i fjalës atdhe. Atdheu nuk është vetëm historia që na lanë të parët, por edhe trashëgimia që do t’u lëmë atyre që vijnë pas nesh; nuk është vetëm flamuri që valëvitim mbi tokë, por edhe vetë toka mbi të cilën ngrihet ai flamur. Sepse një brez nuk gjykohet vetëm nga vendi që trashëgoi, por edhe nga vendi që la pas. Dhe patriotizmi më i ndershëm është ta duash Shqipërinë aq shumë, sa të mos i japësh vetes të drejtën ta konsumosh.