Regjistrimi i votuesve dhe përditësimi i të dhënave ka filluar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përpara zgjedhjeve parlamentare palestineze të planifikuara për 28 nëntor, të parat në gati 20 vjet, transmeton Anadolu.
Sipas planit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, qendrat e regjistrimit u hapën për publikun sot në mëngjes, ndërsa procesi do të vazhdojë deri të mërkurën në mbrëmje
Komisioni u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, emrat e të cilëve nuk figurojnë në regjistrin zgjedhor, të regjistrohen, ndërsa u kërkoi votuesve të regjistruar të përditësojnë të dhënat e tyre nëse është e nevojshme, duke theksuar se regjistrimi është një fazë kyçe e procesit zgjedhor.
Komisioni tha se zgjedhjet do të mbahen në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, përfshirë Kudsin, ndërsa palestinezët e moshës 17 vjeç e lart kanë të drejtë të regjistrohen.
Procesi i përditësimit të të dhënave, sipas komisionit, është i kufizuar në Bregun Perëndimor, ndërsa banorët e Gazës regjistrohen automatikisht bazuar në regjistrin civil palestinez.
Këto do të jenë zgjedhjet e para parlamentare palestineze që nga viti 2006. Pas viteve të ndarjeve të brendshme palestineze dhe luftës në Gaza, zgjedhjet shihen si një test për përpjekjet për rindërtimin e institucioneve palestineze dhe ripërtëritjen e legjitimitetit të tyre.
Të mërkurën, anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Husam Badran, tha se grupi do të marrë pjesë në zgjedhje “brenda koalicionit më të gjerë të mundshëm kombëtar”.
Më 9 korrik, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, nxori një dekret me të cilin caktoi 28 nëntorin si datën e zgjedhjeve parlamentare.
Data e zgjedhjeve presidenciale do të shpallet më vonë, ndërsa votimi është planifikuar për tremujorin e parë të vitit 2027.
Sipas komisionit, regjistrimi i kandidatëve do të zhvillohet nga 26 shtatori deri më 7 tetor, ndërsa fushata zgjedhore do të nisë më 6 nëntor, përpara votimit të përgjithshëm më 28 nëntor.