Tragjedi në Mesdhe, gjenden 11 trupa emigrantësh pranë brigjeve të Libisë





Një tjetër tragjedi është regjistruar në rrugën e emigrantëve përmes Mesdheut. Njëmbëdhjetë trupa të pajetë janë zbuluar në det pranë brigjeve të Libisë, gjatë një operacioni ajror për identifikimin e mjeteve lundruese me emigrantë.

Trupat u pikasën rreth 57 milje detare larg qytetit libian Zuara dhe, sipas informacioneve të raportuara nga organizatat joqeveritare, ndodheshin në një fazë të avancuar dekompozimi.

Roja Bregdetare italiane bëri të ditur se ishte njoftuar për zbulimin dhe se informacioni iu përcoll menjëherë autoriteteve libiane. Zona ku u gjetën viktimat ndodhet brenda hapësirës detare për të cilën përgjegjësinë e operacioneve të kërkim-shpëtimit e kanë autoritetet e Libisë.

Ende nuk dihet se nga cila anije vinin viktimat, kur mund të ketë ndodhur tragjedia dhe sa persona ndodheshin fillimisht në bord.

Organizata SOS Méditerranée reagoi pas zbulimit, duke theksuar se rrethanat e vdekjes së 11 personave mbeten të paqarta. OJQ-ja e cilësoi ngjarjen si një tjetër dëshmi të kostos njerëzore të politikave evropiane për frenimin e migracionit në Mesdhe.

Rruga e Mesdheut Qendror, e përdorur nga mijëra emigrantë që nisen kryesisht nga brigjet e Afrikës së Veriut drejt Evropës, konsiderohet një nga korridoret më vdekjeprurëse të migracionit në botë.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), të paktën 872 persona kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur në këtë rrugë migratore që nga fillimi i vitit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo