Një tjetër talent i futbollit nga Tetova po hedh një hap të rëndësishëm në karrierën e tij shkruan Tetovasot. Endrit Murati, 15-vjeçari me perspektivë të madhe, është bërë pjesë e strukturave të klubit kroat Istra, ekip që garon në elitën e futbollit kroat, ku do të vazhdojë zhvillimin e tij sportiv në një mjedis profesional.
Rrugëtimi i Endritit nisi në Akademinë e KF Shkëndija, ku me paraqitjet e tij bindëse dhe potencialin e madh tërhoqi vëmendjen e skautëve kroatë. Ai ishte pjesë e gjeneratës së Shkëndijës që u shpall kampione e Superligës së Maqedonisë së Veriut, duke dhënë kontribut të rëndësishëm me paraqitjet e tij.
Murati aktivizohet si sulmues krahu, një futbollist që dallohet për shpejtësinë, teknikën, depërtimet në krah dhe aftësinë për të krijuar rrezik në fazën ofensive.
Kalimi te Istra përfaqëson një mundësi të madhe për talentin tetovar, i cili tashmë do të ketë mundësinë të zhvillohet në një nga kampionatet më cilësore të rajonit dhe të fitojë përvojë të vlefshme në futbollin modern evropian.
Deklarata e prindit, Senad Murati
“Për ne si familje ky është një moment krenarie, por njëkohësisht edhe fillimi i një sfide të re. Endriti ka punuar me përkushtim për shumë vite dhe ky transferim është rezultat i sakrificës, disiplinës dhe mbështetjes që ka marrë nga trajnerët e tij. Jemi mirënjohës ndaj Akademisë së Shkëndijës për gjithçka i ka dhënë djalit tonë. Besoj se me punë, përulësi dhe përkushtim ai do të vazhdojë të ecë përpara dhe do ta përfaqësojë me dinjitet Tetovën dhe futbollin shqiptar. I urojmë shumë suksese në aventurën e re me Istrën.”
I urojmë Endrit Muratit shumë suksese, shëndet dhe një karrierë të ndritur në futbollin kroat!


