Mediat amerikane: Trump ishte duke bërë “shaka” kur tha se do ta shpallë Ngushticën e Hormuzit territor të SHBA-së
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte duke bërë “shaka” kur tha se do ta shpallte Ngushticën e Hormuzit territor të SHBA-së pas luftës me Iranin, transmeton Anadolu.
Sipas reporterit të Wall Street Journal, Brian Schwartz, i cili në një postim në platformën sociale amerikane X citoi një zyrtar të paidentifikuar të lartë të Shtëpisë së Bardhë, tha se Trump nuk është takuar me këshilltarët e tij për të diskutuar një lëvizje të tillë
“Presidenti Trump nuk është takuar me këshilltarët e tij për shpalljen e Ngushticës së Hormuzit territor të SHBA-së pas luftës dhe po bënte shaka gjatë fjalimit të tij sot në New York”, shkroi Schwartz.
Trump e bëri këtë deklaratë gjatë një tubimi politik në Akademinë e Policisë së Qarkut Nassau, në Garden City të New Yorkut.
“Pasi të përfundojmë mposhtjen e Iranit, i cili po mposhtet shumë keq, së shpejti do ta shpall Hormuzin territor të SHBA”, tha Trump, duke qeshur dhe shtoi: “Është e vërtetë”.
Schwartz, i cili mori pjesë në fjalim, tha se Trump qeshi pas deklaratës, por më pas dukej se këmbënguli se ajo ishte e vërtetë.
Trump gjithashtu pretendoi se Washingtoni kontrollon qarkullimin detar përmes kësaj rruge ujore me rëndësi strategjike.
“Ne kemi bllokadën. Asnjë anije nuk kalon nëse nuk duam ne”, u tha ai mbështetësve.
Irani kundërshton pretendimet e SHBA-së për kontrollin
Zyrtarët ushtarakë iranianë e kanë kundërshtuar pretendimin, ndërsa Komanda Qendrore Ushtarake e Iranit të enjten i cilësoi pretendimet për kontrollin amerikan mbi këtë rrugë ujore si “gënjeshtra dhe trillime të pabaza”.
Deri më 12 gusht, rreth 3.371 anije kishin kaluar përmes ngushticës gjatë 166 ditëve që nga fillimi i luftës, duke përfaqësuar rreth 20 për qind të niveleve të trafikut para luftës, sipas të dhënave të kompanisë Kpler, e cila merret me analizën e tregjeve të mallrave dhe transportit detar, të cituara nga CNN.
SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Pakistani në prill dhe më vonë, më 17 qershor, nënshkruan një marrëveshje për nisjen e negociatave drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, bisedimet më pas ngecën për shkak të mosmarrëveshjeve, përfshirë garancitë e sigurisë dhe lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Të dyja palët gjithashtu shkëmbyen sulme ushtarake nga 8 deri më 24 korrik, ku Washingtoni goditi objektiva brenda Iranit, ndërsa Teherani iu përgjigj me sulme ndaj atyre që i përshkroi si objekte dhe pajisje ushtarake amerikane në disa vende arabe, përfshirë Jordaninë, Bahreinin dhe Kuvajtin.
Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.