Ndalohet përdorimi i ujit për pije dhe gatim në Demir Kapi
Uji nga ujësjellësi në Demir Kapi është ndaluar për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në marrjen e rezultateve përfundimtare nga super-analiza, njoftoi Ndërmarrja Publike Komunale “Boshava” – Demir Kapi.
Sipas ndërmarrjes, analizat e mostrave të marra të hënën dhe të martën nga i njëjti vend matës kanë dhënë rezultate të ndryshme.
Analiza e mostrës së marrë të hënën nga Instituti i Shëndetit Publik – Shkup ka treguar se uji nuk i plotëson kushtet e përcaktuara me rregulloren për ujë të pijshëm. Ndërkaq, analiza e mostrës së marrë të martën nga Qendra e Shëndetit Publik – Veles ka treguar se uji i plotëson kriteret e kërkuara.
Për shkak të këtyre rezultateve kontradiktore, të hënën do të kryhet një super-analizë shtesë.
Deri në marrjen e rezultateve përfundimtare, uji nga ujësjellësi i Demir Kapisë nuk duhet të përdoret për pije apo përgatitjen e ushqimit, njoftuan nga NPK “Boshava”.