Nikollovski: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, beteja jonë është për një shtet më të zhvilluar, evropian dhe me mundësi të barabarta për të gjithë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, tha se ky përvjetor nuk duhet të jetë vetëm një përkujtim i së kaluarës, por edhe një moment për të përcaktuar drejtimin e së ardhmes së vendit.
Nikollovski theksoi se para 25 vitesh Maqedonia e Veriut u përball me një nga vendimet më të vështira në historinë e saj bashkëkohore – të vazhdonte rrugën e konfliktit, ndarjeve dhe mosbesimit apo të zgjidhte dialogun, kompromisin dhe të ardhmen e përbashkët.
„Marrëveshja e Ohrit nuk ishte marrëveshje e fitimtarëve dhe të mundurve. Ishte një marrëveshje përmes së cilës shteti fitoi mundësinë të vazhdonte përpara, të zhvillohej dhe të trasojë rrugën për gjeneratat e ardhshme“, tha Nikollovski.
Sipas tij, fitorja më e madhe e vitit 2001 ishte ruajtja e shtetit dhe krijimi i mundësisë që gjeneratat e reja të rriten dhe të jetojnë në një vend ku konflikti, mosbesimi dhe frika nuk do të përcaktojnë të ardhmen e tyre.
„Sot beteja është për një jetë më të mirë për të gjithë“
Duke folur për 25 vitet që kanë kaluar, Nikollovski pranoi se rruga nuk ka qenë e lehtë. Ai përmendi periudhat e mosbesimit, krizave politike dhe përpjekjeve për të rihapur çështjet etnike për interesa politike.
Megjithatë, ai theksoi se sot prioritetet e qytetarëve janë të tjera.
„Beteja e vërtetë sot është beteja për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë, për një shëndetësi më efikase, për arsim më të mirë për fëmijët tanë, për standard më të lartë jetese, për shtet të së drejtës dhe siguri në institucione“, theksoi Nikollovski.
Ai shtoi se shteti po ndërtohet përmes investimeve të fuqishme në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim.
Nikollovski: Po ndërtojmë rrjet të ri rrugor dhe hekurudhor
Si ministër i Transportit, Nikollovski foli edhe për projektet infrastrukturore që, sipas tij, duhet të jenë pjesë e zhvillimit të ardhshëm ekonomik të vendit.
Ai njoftoi se së shpejti do të fillojë ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, ndërsa po zhvillohen intensivisht punimet në drejtimet Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan.
Sipas tij, gjatë shtatorit pritet të fillojë edhe ndërtimi i segmentit Bukojçan–Kërçovë, ndërsa gjatë tetorit pritet të lëshohet në përdorim edhe një segment i autostradës Kërçovë–Ohër.
Nikollovski tha se synimi është që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të përfundojë tërësisht autostrada Kërçovë–Ohër–Strugë.
Ai përmendi edhe projektet Manastir–Prilep, Gradsko–Drenovë–Farish dhe Kumanovë–Kriva Pallankë, duke paralajmëruar edhe fillimin e ndërtimit të akseve Koçan–Vinicë–Dellçevë dhe Radovish–Strumicë–kufiri me Bullgarinë.
Në pjesën e transportit hekurudhor, Nikollovski theksoi rëndësinë e Korridorit 8 dhe lidhjes hekurudhore me Bullgarinë.
„Pres që, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, tashmë vitin e ardhshëm të fillojmë punimet: faza e parë Shkup–Jegunovcë–Tetovë–Gostivar, faza e dytë Gostivar–Kërçovë dhe faza e tretë Kërçovë–Ohër–Strugë“, tha ai.
„E ardhmja e Maqedonisë është në familjen evropiane“
Duke folur për orientimin strategjik të vendit, Nikollovski tha se pas 25 vitesh vizioni është i qartë – Maqedonia e Veriut e sheh të ardhmen e saj në familjen evropiane.
Sipas tij, integrimi evropian nuk është vetëm përcaktim politik, por vizion për një shtet me infrastrukturë të zhvilluar, ekonomi stabile dhe konkurruese dhe institucione të fuqishme e të pavarura.
„Integrimi evropian për ne nënkupton standard më të mirë jetese, më shumë mundësi për qytetarët dhe një të ardhme më të sigurt për të rinjtë“, theksoi ai.
Nikollovski nënvizoi se përcaktimi i vendit është evropian, properëndimor dhe atlantik, ndërsa anëtarësimin në NATO e cilësoi si dëshmi të qartë të këtij orientimi.
„Përparimi nuk duhet të varet nga libreza partiake apo përkatësia etnike“
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Nikollovskit iu kushtua barazisë së qytetarëve dhe funksionimit të institucioneve.
Ai tha se qëllimi duhet të jetë krijimi i një shteti ku suksesi varet nga dija dhe puna, dhe jo nga përkatësia politike apo etnike.
„Një shtet në të cilin të rinjtë nuk do të largohen jashtë vendit për të fituar më mirë, prindërit do të kenë besim në arsimin e fëmijëve të tyre, ndërsa qytetarët nuk do të dyshojnë në sistemin shëndetësor. Një shtet në të cilin suksesi do të varet ekskluzivisht nga dija dhe puna, e jo nga libreza partiake apo përkatësia etnike“, tha Nikollovski.
Ai bëri thirrje që mesazhi i barazisë dhe bashkëjetesës të vlejë për të gjithë qytetarët – maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, boshnjakët, romët dhe komunitetet e tjera.
„Kemi një atdhe – ta ruajmë dhe ta ndërtojmë“
Në përmbyllje, Nikollovski tha se Marrëveshja Kornizë e Ohrit duhet të shihet edhe si një mësim për mënyrën se si ndërtohet shteti së bashku.
„Marrëveshja e Ohrit është një kujtesë se shteti u përket të gjithëve në mënyrë të barabartë, ku të gjithë janë të barabartë, të barasvlershëm dhe të respektuar“, tha ai.
Nikollovski theksoi se 25-vjetori duhet të shërbejë si pikënisje për një etapë të re – me më shumë vende pune dhe vende pune më të mira, paga më të larta, institucione në të cilat qytetarët kanë besim, drejtësi, siguri dhe zhvillim ekonomik.
Duke e përmbledhur mesazhin e tij, ai tha:
„Kemi një atdhe – ta ruajmë, ta ndërtojmë.“
Në fund, Nikollovski bëri thirrje që vendi të zgjedhë të ardhmen dhe të vazhdojë të ndërtohet si një shtet i barabartë, modern, i sigurt dhe evropian.
„Të zgjedhim të ardhmen, një të ardhme të barabartë për të gjithë. Dhe qoftë i fuqishëm dhe i përjetshëm atdheu ynë!“