Ministri Ferati: 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, detyra jonë është ta shndërrojmë paqen në besim dhe besimin në një të ardhme më të mirë
Në manifestimin qendror me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, theksoi se 13 gushti 2001 nuk është vetëm një datë e rëndësishme në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut, por një moment që ndryshoi rrjedhën e shtetit dhe u dha mijëra familjeve mundësinë të mendonin sërish për të ardhmen.
Në fjalimin e tij, Ferati tha se disa ditë mbeten të shkruara në kalendar, ndërsa të tjera mbeten të shkruara në jetën e njerëzve, duke e cilësuar 13 gushtin si një nga ato ditë.
„Jo vetëm sepse u nënshkrua një marrëveshje. Por sepse mijëra familje patën mundësi, edhe një herë, të mendojnë për të nesërmen“, tha Ferati.
Ai e ndërtoi fjalimin e tij përmes një figure simbolike – një fëmije të lindur në gusht të vitit 2001, i cili sot është 25 vjeç.
„Sot, ai ose ajo është 25 vjeç. Nuk i kujton ditët kur frika ishte më e fuqishme se shpresa. Nuk i kujton bisedimet e gjata që formësuan fatin e vendit. Nuk e kujton pasigurinë me të cilën ky vend zgjohej çdo mëngjes“, theksoi ministri.
Sipas Feratit, pikërisht këtu qëndron kuptimi më i madh i zgjedhjes së bërë 25 vite më parë – fitorja më e madhe e çdo paqeje nuk është që ajo të mbetet e shkruar në dokumente, por që brezat e rinj të mos kenë nevojë të kujtojnë pse ajo paqe ishte e nevojshme.
„Marrëveshja e Ohrit vazhdon të jetojë në jetën e njerëzve“
Ferati theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk duhet të shihet vetëm si një dokument i arkivuar, por si një marrëveshje që vazhdon të ketë ndikim në jetën e qytetarëve.
„Ka marrëveshje që përfundojnë në arkiva. Dhe ka marrëveshje që vazhdojnë të jetojnë në jetën e njerëzve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit i përket llojit të dytë“, tha ai.
Sipas tij, marrëveshja nuk ishte e përsosur dhe nuk i zgjidhi të gjitha problemet, por në një nga momentet më të vështira të historisë së vendit i dha Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj mundësinë të zgjedhin sërish të ardhmen.
Duke iu referuar parimeve themelore të marrëveshjes, Ferati theksoi se refuzimi i dhunës dhe zgjedhja e zgjidhjeve politike paqësore përbëjnë një vendim me karakter civilizues.
„Asnjë fitore nuk ka vlerë nëse çmimi i saj është jeta e njeriut. Dialogu, sado i vështirë të jetë, gjithmonë vlen më shumë se heshtja që sjellin armët. Dhe e ardhmja gjithmonë vlen më shumë se ndarja“, tha Ferati.
Nga Krusheva dhe ASNOM-i te 2001, historia si varg zgjedhjesh
Në fjalimin e tij, ministri e vendosi Marrëveshjen e Ohrit në kontekstin më të gjerë të historisë së shtetformimit të Maqedonisë së Veriut.
Ai përmendi Krushevën, ASNOM-in, pavarësinë e vitit 1991 dhe vitin 2001 si etapa të një historie të përbashkët.
„Këto nuk janë histori të ndara. Ato janë një storje e vetme. Storja e një vendi që, sa herë që historia e ka vendosur përballë një zgjedhjeje të vështirë, ka zgjedhur të ardhmen“, u shpreh Ferati.
Ai theksoi gjithashtu se historia nuk ndërtohet vetëm nga burrështetasit dhe figurat politike, por edhe nga qytetarët e zakonshëm që, në momentet më të vështira, vazhduan ta mbajnë gjallë jetën e përbashkët.
Sipas tij, paqja nuk krijohet vetëm nga ata që negociojnë.
„Paqja krijohet edhe nga ata që të nesërmen vendosin të jetojnë sërish së bashku.“
Evropa duhet të ndërtohet edhe këtu
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Feratit iu kushtua perspektivës evropiane të vendit.
Ai tha se Evropa nuk është vetëm një destinacion drejt të cilit po udhëton Maqedonia e Veriut, por edhe një mënyrë jetese dhe një standard që duhet të ndërtohet brenda vendit.
„Evropa është një mënyrë jetese. Një mënyrë jetese në të cilën respektohen qytetarët. Në të cilën mbrohet drejtësia. Në të cilën dinjiteti nuk varet nga emri që mbani, gjuha që flisni apo vendi ku keni lindur“, theksoi ministri.
Ferati nënvizoi se integrimi evropian nuk duhet të kuptohet vetëm si proces institucional, por si një transformim i mënyrës se si qytetarët dhe institucionet sillen me njëri-tjetrin.
„Evropa nuk do të vijë në Maqedoninë e Veriut vetëm përmes një nënshkrimi. Ajo do të vijë përmes mënyrës se si sillemi me njëri-tjetrin“, tha ai.
Sipas Feratit, dallimet gjuhësore, kulturore dhe etnike nuk janë pengesë për shtetin, nëse ndërtohet besimi.
„Kur ndërtohet besimi, gjuhët e ndryshme nuk janë më kufij. Ato bëhen ura“, u shpreh ministri.
„Çfarë do t’u lëmë brezave që vijnë pas nesh?“
Duke folur për përgjegjësinë e brezit të sotëm, Ferati shtroi pyetjen se çfarë do t’u lihet brezave që vijnë.
Ai theksoi se brezat e mëparshëm lanë pas ideale, shtetësi, pavarësi dhe paqe, ndërsa brezi i sotëm duhet të ndërtojë besim, institucione funksionale, drejtësi dhe mundësi për të rinjtë.
„Detyra jonë kërkon jo më pak guxim. Kërkon një lloj tjetër guximi. Guximin për të ndërtuar besim. Në institucionet. Në drejtësi. Në fjalën që japim. Dhe mbi të gjitha, tek njëri-tjetri“, tha Ferati.
Sipas tij, besimi nuk mund të votohet, të nënshkruhet apo të urdhërohet.
„Besimi duhet të fitohet. Me durim. Me punë. Me përgjegjësi. Ndonjëherë, madje, edhe përmes brezave.“
Shteti ndërtohet çdo ditë
Ferati theksoi se ndërtimi i shtetit nuk përfundon në sallat ku merren vendimet politike, por vazhdon çdo ditë në shkolla, spitale, gjykata, fabrika dhe familje.
„Vendet nuk ndërtohen vetëm në sallat ku merren vendimet. Ato ndërtohen në klasa. Në sallat e gjyqeve. Në spitale. Në shtëpi. Në mënyrën se si u flasim atyre që flasin dhe mendojnë ndryshe. Në mënyrën se si e ndihmojmë fqinjin tonë. Në mënyrën se si i rrisim fëmijët tanë“, theksoi ai.
Në këtë kontekst, ministri u rikthye te figura e fëmijës së lindur në vitin 2001, i cili sot është i ri dhe nesër do të jetë prind.
Ai tha se një ditë fëmijët e tyre do të pyesin se çfarë ndodhi në vitin 2001 dhe se përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm historia e një marrëveshjeje.
„Shpresoj të dëgjojnë storjen e njerëzve që, kur ishte më së vështiri, nuk lejuan që frika të ishte më e fortë se arsyeja. Historinë e një vendi që kishte më shumë se një rrugë përpara. Dhe zgjodhi atë që çonte drejt së ardhmes“, tha Ferati.
„25 e më tej – për rininë, me rininë, së bashku drejt së ardhmes“
Në përmbyllje të fjalimit, Ferati theksoi se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të jetë vetëm përkujtim i së kaluarës, por edhe një zotim për të ardhmen.
Ai tha se brezi i sotëm duhet të sigurojë që çdo fëmijë, pavarësisht emrit, gjuhës apo vendit ku ka lindur, ta ndiejë Maqedoninë e Veriut si shtëpinë e tij.
„Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen“, tha ministri.
Sipas tij, hapi i ardhshëm është që paqja të shndërrohet në besim, besimi në institucione funksionale dhe institucionet në mundësi për të rinjtë.
„Sepse 25 vitet e ardhshme nuk do të maten vetëm me atë që kemi ruajtur. Ato do të maten me atë që kemi ndërtuar“, përfundoi Ferati, duke e përmbledhur mesazhin e tij me moton:
„25 e më tej. Për rininë. Me rininë. Së bashku drejt së ardhmes.“
Dhe në fund, ai përcolli mesazhin: „Të mos presim të ardhmen. Ta meritojmë atë. Së bashku.“

