Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara propozimet e saj për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Ne ia kaluam propozimet tona palës amerikane”, tha Zelensky në një fjalim të martën në mbrëmje.
Sipas tij, SHBA-ja mund të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, veçanërisht përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore, si dhe të ushtrojë presion ndaj Moskës për ta orientuar atë drejt përfundimit të luftës.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një periudhë kur përpjekjet për paqe të ndërmjetësuara nga SHBA-ja kanë mbetur në vendnumëro. Me ndërmjetësimin amerikan, Rusia dhe Ukraina zhvilluan tre raunde bisedimesh në janar dhe shkurt, por negociatat janë ndërprerë që atëherë.
Sipas Kievit dhe Moskës, ndërprerja e bisedimeve lidhet me përqendrimin e SHBA-së në konfliktin e armatosur në Lindjen e Mesme, i cili nisi më 28 shkurt.
Zelensky ka ngritur gjithashtu shqetësimin për një mobilizim të ri të mundshëm në Rusi. Duke iu referuar një raporti të inteligjencës ukrainase, ai tha se Presidenti rus Vladimir Putin mund të urdhërojë rekrutimin e disa qindra mijëra trupave të rinj pas zgjedhjeve të shtatorit.
Sipas Zelenskyt, një mobilizim i tillë mund të zhvillohet deri në fund të këtij viti dhe të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, krahas rekrutimit të ushtarëve përmes kontratave.