Gjashtë lojtarët që refuzuan të paraqiten në parasezon në klubet respektive, përfshirë Modricin e Neymarin
Gjatë dy dekadave të fundit, një numër i vogël futbollistësh të profilit të lartë kanë refuzuar të rikthehen në stërvitjet parasezonale, teksa kanë tentuar të detyrojnë klubet e tyre t’i lejojnë të largohen gjatë merkatos së verës. Por, si përfunduan historitë e tyre?
Do ta nisim me Luka Modric, i cili mund të jetë emri më befasues në këtë listë.
Në verën e vitit 2012, Modric ishte i vendosur të largohej nga Tottenham, mes interesimit nga klube të tjera. Madje, ai tentoi ta përshpejtonte situatën duke refuzuar të bashkohej me Spurs në turneun e tyre parasezonal në Shtetet e Bashkuara.
Pak kohë më vonë, ai kërkoi falje për qëndrimin e tij, por pasi tentoi të siguronte një transferim te Real Madrid, u detyrua të stërvitej me ekipin rezervë.
Modric më pas realizoi transferimin te Los Blancos në një marrëveshje me vlerë rreth 30 milionë paund dhe pjesa tjetër, siç thuhet, është histori. Gjashtë trofe të Champions League. Katër tituj të La Liga-s. Një Top i Artë.
Ja edhe disa lojtarë të tjerë që refuzuan të riktheheshin në stërvitjet parasezonale.
Raheem Sterling
Raheem Sterling refuzoi të udhëtonte me Liverpoolin në turneun parasezonal në Tajlandë, Australi dhe Malajzi, teksa tentonte të detyronte klubin të pranonte transferimin e tij te Manchester City.
Në atë kohë, të kuqtë kishin refuzuar dy oferta nga City për reprezentuesin anglez, i cili thuhet se kishte refuzuar një rinovim kontrate me pagë prej 100 mijë paundësh në javë një sezon më parë.
Liverpooli përfundimisht pranoi një ofertë prej 49 milionë paundësh, ndërsa Sterling firmosi një kontratë pesëvjeçare në Etihad.
Përveçse shënoi 131 gola në 339 paraqitje, ai fitoi katër tituj të Premier League me Citizens.
Diego Costa
Në verën e vitit 2017, Diego Costa u gjobit me dy javë pagë, rreth 300 mijë paund, nga Chelsea pasi nuk u rikthye në stërvitjet parasezonale.
Costa, të cilit Antonio Conte i kishte bërë të ditur se nuk kishte të ardhme në Stamford Bridge, akuzoi klubin se po e trajtonte si një “kriminel”, pasi iu kërkua të stërvitej me ekipin rezervë. Ai refuzoi dhe qëndroi në shtëpinë e tij në Brazil.
Spanjolli gjithashtu besonte se po pengohej të transferohej te Atletico Madrid, por pak kohë më vonë u rikthye te ish-klubi i tij në një marrëveshje me vlerë 57 milionë paund.
Thibaut Courtois
Në përpjekje për të detyruar transferimin te Real Madrid, Thibaut Courtois refuzoi të paraqitej në stërvitjet parasezonale të Chelsea-t në vitin 2018.
Kjo nuk ishte hera e parë që Courtois përdorte një taktikë të tillë. Ai kishte bërë të njëjtën gjë edhe te klubi belg Genk, për të siguruar transferimin te Chelsea.
Përfaqësuesi i belgut, Christophe Henrotay, tha në atë kohë se klienti i tij po kërkonte transferimin në Madrid vetëm për arsye familjare. Dy fëmijët e Courtois jetonin në Spanjë.
Neymar
Mes zërave për një rikthim te Barcelona, Neymar nuk u paraqit në ditën e parë të stërvitjeve parasezonale të Paris Saint-Germain në vitin 2019.
PSG priste që sulmuesi të rikthehej në stërvitje, pasi ai kishte munguar në Copa America për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.
Klubi francez premtoi se do të merrte “masat e duhura”, ndërsa Neymar u gjobit me 340 mijë paund.
Braziliani qëndroi te gjigantët e Ligue 1 edhe për katër vite të tjera, përpara se të transferohej te Al Hilal.
Laurent Koscielny
Kapiteni i atëhershëm i Arsenalit, Laurent Koscielny, refuzoi të udhëtonte me klubin në turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019, teksa tentonte të detyronte largimin e tij.
Koscielny raportohet se dëshironte të rikthehej në Francë dhe i kërkoi Arsenalit ta lironte nga kontrata.
“Jemi shumë të zhgënjyer nga veprimet e Laurent, të cilat janë në kundërshtim me udhëzimet tona të qarta”, deklaroi Arsenali në një komunikatë në atë kohë. “Shpresojmë ta zgjidhim këtë çështje dhe nuk do të japim asnjë koment tjetër për momentin.”
Një muaj më vonë, Koscielny firmosi me klubin e Ligue 1, Bordeaux.