Zonat bregdetare të Kinës Lindore po përgatiten për erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, ndërsa tajfuni “Dolphin” po afrohet, duke bërë që autoritetet të urdhërojnë kthimin e anijeve të peshkimit, të pezullojnë shërbimet e trageteve dhe të përgatiten për evakuime.
Autoriteti meteorologjik i Kinës e ngriti të shtunën në nivelin III reagimin emergjent ndaj tajfunit “Dolphin” dhe e rriti nivelin e paralajmërimit për tajfunet nga i verdhë në portokalli.
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Kinës (NMC) e mbajti në fuqi alarmin portokalli për tajfunet në orën 6:00 të mëngjesit të së dielës.
Sipas NMC-së, tajfuni ndodhej mbi pjesën jugore të Detit të Kinës Lindore në orën 5:00 të mëngjesit të së dielës, rreth 305 kilometra në lindje të qytetit Wenzhou të provincës Zhejiang, me shpejtësi maksimale të qëndrueshme të erës prej 45 metrash në sekondë pranë qendrës së tij.
Duke lëvizur drejt veriperëndimit me një shpejtësi prej 15 deri në 20 kilometrash në orë, “Dolphin” pritet të prekë tokën përgjatë bregdetit midis Zhoushan-it në provincën Zhejiang dhe Fuding-ut në provincën Fujian, nga mbrëmja e së dielës deri në mëngjesin e së hënës.
Zhejiang e ngriti reagimin emergjent ndaj tajfunit në nivelin I, nivelin më të lartë, të shtunën në mbrëmje, sipas selisë për kontrollin e përmbytjeve dhe zbutjen e thatësirës të provincës.
Autoriteteve u është kërkuar të monitorojnë nga afër tajfunin dhe të zbatojnë të tëra masat e planifikuara parandaluese. Kur është e nevojshme, ato mund të shpallin periudhë emergjente të kontrollit të përmbytjeve dhe të marrin masa të tilla si pezullimi i aktiviteteve në grup në mjedise të jashtme, të punës, mësimit, veprimtarisë së bizneseve dhe shërbimeve të transportit, si edhe mbyllja e rrugëve.
Megjithëse “Dolphin” ende nuk ka zbritur në tokë, ai ka sjellë tashmë reshje të dendura dhe erëra të forta në disa zona të Zhejiang-ut, përfshirë Ningbon, Taizhou-n, Wenzhou-n dhe Lishui-n, tha Jia Yan, kryeparashikuese e Observatorit Meteorologjik të Zhejiang-ut.
Ministria e Burimeve Ujore dhe Administrata Meteorologjike e Kinës shpallën së bashku të shtunën në mbrëmje një alarm të kuq për përmbytje të menjëhershme në 23 konte, qytete dhe distrikte fqinje në Zhejiang. Ministria e ngriti gjithashtu reagimin emergjent ndaj përmbytjeve në provincë nga niveli IV në atë III.
Më shumë se 4 000 monitorues lokalë janë angazhuar për të inspektuar mbi 7 500 zona të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut dhe fatkeqësi të tjera gjeologjike.
Tajfuni pritet të shkaktojë ndërprerje të trafikut ajror dhe anulimin e 1 384 fluturimeve hyrëse dhe dalëse, që përbëjnë gati 60 për qind të të gjitha fluturimeve në dy aeroportet e Shangait të dielën, njoftoi të shtunën në mbrëmje Kompania e Aeroporteve e Shangait.
Aeroportet ndërkombëtare “Pudong” dhe “Hongqiao” të Shangait kanë planifikuar të anulojnë përkatësisht 871 dhe 513 fluturime.

Krahasuar me tajfunin “Bavi”, i cili zbriti në tokë në Kinë në korrik, “Dolphin” mund të sjellë erëra më të forta dhe reshje më të dendura, tha Xu Yinglong, kryeparashikues i NMC-së.
Kina ka një sistem paralajmërimi meteorologjik me katër nivele të koduara me ngjyra për tajfunet, ku e kuqja është niveli më i rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja. Sistemi i reagimit emergjent ka gjithashtu katër nivele, ku niveli I është më i larti.