Shkruan: Merxhan Jakupi
Sipas sondazheve dhe studimeve të Pew Research Center, shtetet e Ballkanit Perëndimor, në periudhën postkomuniste, radhiten ndër shtetet më religjioze në Europë.
Pas shembjes së komunizmit dhe shpërbërjes së ish-Federatës Jugosllave, ringjallja fetare te popujt sllavo-ortodoksë, te serbët, maqedonasit, malazezët, por edhe te shqiptarë, e mbushi vakuumin ideologjik, duke e zëvendësuar këtë me ringjalljen e religjionit.
Ideologjia e dogmave komuniste, marksizëm-leninizmi dhe kulti i individit zunë vendin e doktrinave dhe dogmave fetare. Rilindja fetare te popujt sllavo-ortodoksë, te serbët, maqedonasit dhe malazezët, u shndërrua në diskurs hegjemonist dhe ultranacionalist. Feja kaloi në shërbim të liderëve nacionalistë dhe në shërbim të shtetit.
Sipas disa sociologëve serbë dhe analistëve të jashtëm, diskursi pansllavist ortodoks filloi të institucionalizohet, duke u futur paralelisht në shumë fusha: arsim, politikë, deri në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë.
Publicisti serb Svetislav Basara thekson në një kolumne të tij se diskursi dhe impakti hegjemonist i kishës paraqesin sindromë dhe traumë kolektive të serbëve në Serbi dhe në ish-republikat e ish-Federatës Jugosllave.
Sipas tij, Kisha, me Patriarkanën dhe mitropolitë, së bashku me liderët nacionalistë, promovojnë pansllavizmin dhe ortodoksinë me kryqet, ikonat dhe flamujt mesjetarë.
Kthimi dhe ringjallja e religjionit te shtetet e Europës Lindore të kampit komunist, për ndryshim nga popujt e Ballkanit, Zoti mbeti nëpër kisha dhe katedrale. Feja mbeti si qytetërim dhe bazë e moralit dhe e vlerave universale.
Në shtetet postkomuniste, instrumentalizimi, politizimi dhe polarizimi i ringjalljes së religjionit te popujt sllavo-ortodoksë të Ballkanit sollën më shumë intolerancë, disharmoni dhe urrejtje ndaj komuniteteve të tjera.
Gjatë kësaj periudhe ndodhi konvertimi i ateistëve dhe sekularëve fanatikë, në fetarë të devotshëm ortodoksë të Jugosllavisë së Titos. Në vend të fotografisë së liderit komunist Tito, ata vendosën ikona të klerikëve, Shën Stefanit, Knjaz Milloshit, së bashku me muralet e kriminelëve të luftës: Mladiq, Karaxhiq dhe Sllobodan Milosheviq.
Te boshnjakët myslimanë në Bosnjë, Islami si nocion kombëtar është pjesë integrale e identitetit të tyre. Te boshnjakët myslimanë, në krahasim me sllavët ortodoksë, nuk ekziston diskursi hegjemonist dhe ultranacionalist.
Te sllavët e Jugut, identiteti kombëtar është krijuar përmes identitetit fetar. Të jesh serb do të thotë të jesh i krishterë i ritit ortodoks, të jesh kroat do të thotë të jesh i krishterë i ritit katolik, kurse boshnjakët i takojnë fesë islame.
Identiteti kombëtar i shqiptarëve dallohet nga ai i sllavëve. Kombi shqiptar u ndërtua mbi gjuhën dhe etnogjenezën. Shqiptarët u përkasin dy religjioneve, të krishterë dhe myslimanë, me katër konfesione: të krishterë të ritit ortodoks dhe katolik, shqiptarë myslimanë sunitë dhe bektashinj.
Në disa debate akademike, intelektuale dhe kulturore janë kritikuar teologët dhe imamët shqiptarë. Sipas tyre, disa imamë dhe teologë tentojnë ta zbehin dhe dobësojnë identitetin kombëtar.
Kontrastet dhe divergjencat mes klerikëve të krishterë ortodoksë dhe klerikëve myslimanë ekzistojnë, sepse narrativa dhe paradigma e klerikëve ortodoksë serbë, grekë, bullgarë dhe rusë, në liturgji dhe meshë, është e ndryshme. Këta klerikë predikojnë dhe promovojnë identitetin kombëtar, mbretërinë hyjnore dhe mbretërinë tokësore.
Doktrina islame e njeh konceptin e “umetit”, të bashkësisë. Islami është fe transnacionale. Doktrina dhe diskursi i Islamit janë mbi kombin. Në predikimet e imamëve myslimanë dhe shqiptarë nuk është e ndaluar të predikohet edhe për çështjen kombëtare, por, ekziston një dallim në krahasim me klerikët ortodoksë, me diskursin e tyre, në të cilin feja dhe kombi bëhen sinonim i shtetit.