Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SHGM) ka shprehur shqetësim për, siç thotë, një praktikë të përsëritur të Qeverisë për të mos iu përgjigjur pyetjeve gazetareske dhe për të kufizuar qasjen në informacione me interes publik.
Sipas SHGM-së, një situatë e tillë është përsëritur edhe në ngjarjen e fundit, ku shërbimi për marrëdhënie me publikun i Qeverisë u është përgjigjur në mënyrë selektive pyetjeve të gazetarëve.
“Detyrimi i Qeverisë është të komunikojë në mënyrë transparente me publikun. Heshtja nuk duhet të jetë politikë, ndërsa pyetjet e gazetarëve nuk duhet të mbeten pa përgjigje”, thuhet në reagimin e SHGM-së.
Nga kjo sindikatë vlerësojnë se mungesa e përgjigjeve e vështirëson procesin e verifikimit të informacionit dhe rrezikon që konferencat për media të shndërrohen në komunikime njëanshme pa mundësi për pyetje dhe sqarime.
SHGM rikujton se shërbimet e komunikimit të Qeverisë kanë detyrim t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se vlerësimi për rëndësinë e një pyetjeje nuk i takon zyrtarëve të komunikimit, por gazetarëve, mediave dhe publikut.
“Praktika e kufizimit të përgjigjeve ndaj pyetjeve gazetareske nuk duhet të vazhdojë”, theksojnë nga SHGM-ja.
Sindikata ka kërkuar gjithashtu që zyrtarët përgjegjës për marrëdhëniet me mediat të ruajnë komunikim profesional dhe me respekt ndaj gazetarëve.