Levica: Mickoski e ka bërë Maqedoninë të varur nga kreditë e shpejta, 333 milionë euro borxh për 71 ditë, mbi 3 miliardë për dy vjet
“Për vetëm 71 ditë, VMRO‑DPMNE hapi katër fronte të reja borxhi në vlerë të përgjithshme prej 333 milionë eurosh. Më 26 maj, shumica parlamentare votoi huamarrje prej 260 milionë eurosh nga banka të huaja; në korrik Qeveria tërhoqi shtatë milionë euro nga M‑NAV për të mbuluar likuiditetin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore; më 29 korrik u vendos për një hua prej 25 milionë eurosh nga Banka Botërore, ndërsa në tregun vendor u lëshuan obligacione trevjeçare dhe pesëmbëdhjetëvjeçare mbi 41 milionë euro, me interesa deri në 5,20%. Ky është ritëm prej 4,7 milionë eurosh në ditë dhe një lëvizje e re borxhi çdo tetëmbëdhjetë ditë, ndërsa ankandi i radhës tashmë është paralajmëruar për 18 gusht. Maqedonia me Mickoskin funksionon si i varur nga kreditë e shpejta – ende pa u tharë boja e huasë së mëparshme, dora e shtetit tashmë është shtrirë drejt huadhënësit të radhës”, thonë nga partia Levica.
“Llogaria e borxhit për dy vjet mandat tashmë ka kaluar tre miliardë euro operacione kreditore. Filloi me një miliard euro kredi hungareze, lëshoi euroobligacion prej një miliard eurosh, mori edhe 260 milionë nga banka të huaja, hapi komponentën e huasë nga Plani i Rritjes, grumbulloi kredi projektuale dhe garanci dhe vazhdoi me emetime vendore. Në këtë shumë nuk është llogaritur fare kuadri britanik deri në pesë miliardë funte. Mickoski e ka shndërruar Maqedoninë në poligon eksperimental për huadhënësit – banka hungareze, fonde ndërkombëtare, obligacione vendore dhe ndërmarrje shtetërore – secili merr një pjesë nga buxhetet e ardhshme të qytetarëve.
Kostoja e kësaj varësie nga kreditë tashmë po paguhet çdo sekondë. Vetëm në vitin 2026 shteti do të paguajë 346 milionë euro për interesa – gati 948 mijë euro në ditë, 39.500 euro në orë, 658 euro në minutë dhe rreth 11 euro në sekondë. Nëse një shkollë e re kushton rreth tre milionë euro, vetëm interesi vjetor është i barabartë me 115 shkolla të reja, ndërsa 333 milionët e fundit korrespondojnë me edhe 111 objekte të tilla. Interesat janë pothuajse shtatë herë më të larta se e gjithë programi prej rreth 50 milionë eurosh për rikonstruksionin e konvikteve studentore. Ndërsa prindërit luten për vende në çerdhe, nxënësit ulen në klasa të amortizuara, studentët jetojnë në konvikte të rrënuara dhe spitalet mbledhin donacione për pajisje bazike, huadhënësit e Mickoskit çdo ditë inkasojnë gati një milion euro.
Qeveria e quan këtë gjendje ‘buxhet në formë të mirë’, ndërsa kryen bastisje financiare në të gjitha kasat shtetërore ku ka mbetur para. Borxhi publik prej 8,87 miliardë eurosh në momentin e marrjes së pushtetit ka arritur në rreth 10,73 miliardë – rritje prej 1,86 miliardë eurosh ose gati 21%. Kjo është rritje mesatare prej rreth 2,5 milionë eurosh në ditë, ndërsa këtë vit skadojnë edhe 1,56 miliardë euro principal dhe interesa.
Levica kërkon publikimin urgjent të një regjistri unik dhe plotësisht të verifikueshëm të të gjitha huamarrjeve, obligacioneve, garancive dhe kredive me shumën, interesin, provizionet, afatin, periudhën e grejsit, koston përfundimtare dhe destinimin e saktë të çdo euroje, si dhe kontratat që ende mbahen të fshehta. Populli ka të drejtë të dijë sa nga kreditë e reja kanë krijuar spitale, shkolla, çerdhe dhe vende pune, e sa kanë përfunduar në mbylljen e gropave të vjetra, pompa parazgjedhore për kryetarët e paaftë të VMRO‑së dhe blerje të paqes politike. VMRO‑DPMNE i shpenzon paratë në një mandat, i shtrin këstet deri në vitin 2041 dhe çdo familjeje maqedonase i lë një faturë të padukshme. Mickoski do ta lërë funksionin, por interesat e tij do të mbeten të jetojnë me popullin”, thuhet në kumtesën e partisë Levica.