Një polic i SPB Shkup dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 85.500 denarësh.
Sipas Prokurorisë, nga prilli deri në korrik, polici në NP “Parkingjet e Qytetit” ka mbledhur gjoba në para të gatshme nga qytetarët, ndërsa një pjesë të mjeteve dyshohet se i ka mbajtur për vete, në vend që pagesat t’i regjistronte përmes terminalit POS.
Sipas hetimeve, ai për disa raste të kundërvajtjeve në trafik ka përdorur dëshmi pagesash të lidhura me persona dhe raste të tjera, ndërsa paratë e marra në dorë dyshohet se nuk i ka dorëzuar.
Prokuroria dyshon gjithashtu se polici u ka mundësuar disa personave ulje ose shmangie të gjobave.
Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh.