Italia do të propozojë ngritjen e qendrave të reja të riatdhesimit jashtë Bashkimit Evropian, ndërsa disa shtete anëtare kanë identifikuar tashmë vendet ku mund të zbatohen
Pas krizës migratore në Ceuta, Bashkimi Evropian pritet të diskutojë zgjerimin e modelit të qendrave të emigrantëve jashtë territorit të unionit, sipas shembullit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. Sipas një raportimi të mediave italiane, Roma zyrtare do të paraqesë të martën, në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të Brendshëm të BE-së, një plan për ngritjen e qendrave të riatdhesimit në vende të treta, të financuara me fonde të Bashkimit Evropian. Në qendër të propozimit është zgjerimi i modelit të zbatuar në Gjadër dhe Shëngjin, duke krijuar struktura të ngjashme edhe në vende të tjera jashtë BE-së.
Sipas raportimit, disa shtete anëtare kanë nisur tashmë të identifikojnë partnerët e tyre të mundshëm. Gjermania, Austria dhe Holanda po shqyrtojnë Ugandën si një nga vendet ku mund të ngrihen këto qendra, ndërsa Danimarka ka zhvilluar më herët kontakte me Malin e Zi për një projekt të ngjashëm.
Në listën paraprake të vendeve që po diskutohen për të pritur qendrat përfshihen gjithashtu Gana, Senegali, Mauritania, Uzbekistani dhe Etiopia. Nga Brukseli bëhet e ditur se Komisioni Evropian është “i gatshëm të vlerësojë propozime konkrete, të bazuara në bashkëpunim strategjik”, ndërsa çështja e financimit mbetet ende e hapur. Gjatë takimit, Italia pritet të paraqesë edhe një propozim të dytë, që lidhet me zbatimin më të rreptë të mekanizmit GSP+, i cili lidh përfitimet tregtare që Bashkimi Evropian u jep vendeve në zhvillim me bashkëpunimin e tyre për riatdhesimin e emigrantëve që ndodhen në mënyrë të parregullt në territorin evropian.
Ndërkohë, qeveria italiane synon që deri në fund të vitit të bëjë plotësisht funksionale qendrën e Gjadrit, e cila së bashku me strukturën në Shëngjin përbën bazën e marrëveshjes Itali-Shqipëri për menaxhimin e emigracionit. Debati pritet të dominojë mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të Brendshëm të BE-së, e thirrur pas krizës migratore në Ceuta, ku mijëra emigrantë kaluan kufirin nga Maroku drejt territorit spanjoll.