Krimi makabër në Kolumbi: Vrau shoqen shtatzënë për t’i marrë foshnjën, gjenden edhe eshtrat e bebes

Një krim tronditës ka shokuar Kolumbinë, ku një 21-vjeçare shtatzënë u vra në mënyrë makabre nga një grua që ajo e konsideronte mike, me qëllim që t’i merrte foshnjën e palindur.
Shpresat që foshnja e Maria Camila Potosi të gjendej gjallë u shuan pasi autoritetet zbuluan eshtrat e saj në një zonë të pyllëzuar. Zbulimi u bë pasi një nga pesë të arrestuarit në këtë rast i drejtoi hetuesit drejt vendit ku ishte fshehur trupi i bebes, shkruan The New York Post, transmeton Klankosova.tv.

Sipas prokurorisë, Potosi ishte tetë muajshe shtatzënë kur më 16 korrik u takua me Yulieth Angulo, e cila i kishte thënë se do të shkonin të blinin pajisje për foshnjën. Më herët, të dyja kishin marrë pjesë edhe në një kontroll prenatal.

Pamjet e kamerave të sigurisë i filmuan duke u larguar së bashku me motoçikletë, me Potosin ulur pas. Ajo nuk u pa më kurrë e gjallë.

Hetimet zbuluan se Angulo dyshohet se kishte paguar rreth 4 milionë peso kolumbiane (afërsisht 1.265 dollarë) katër anëtarë të një bande lokale për të rrëmbyer dhe vrarë të renë, me qëllim marrjen e foshnjës së saj.

Sipas autoriteteve, Potosi u dërgua në një banesë në lagjen Alto de Polvorines të qytetit Cali, ku e prisnin katër bashkëpunëtorët. Njëri prej tyre, i identifikuar si Nitzon Mondragon, dyshohet se e sulmoi dhe e goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen.

Prokuroria beson se më pas të pesë të dyshuarit bashkëpunuan për të nxjerrë foshnjën nga barku i viktimës. Pas krimit, ata pastruan banesën për të zhdukur gjurmët, ndërsa trupi i së resë u transportua dhe u hodh pranë lumit Melendez, në zonën La Buitrera.

Trupi i Maria Camila Potosi u gjet më 20 korrik, i mbuluar me disa batanije dhe me të paktën katër plagë të shkaktuara nga thika.

Yulieth Angulo ishte e para që u arrestua, pasi familjarët e saj e njohën në pamjet e kamerave të sigurisë dhe e denoncuan tek autoritetet.

Policia arrestoi gjithsej pesë persona në qytetet Cali dhe Tulua. Pas analizave të ADN-së, autoritetet konfirmuan se eshtrat e gjetura në zonën e pyllëzuar i përkisnin foshnjës së Maraa Camila Potosa.

Të pesë të arrestuarit janë akuzuar për vrasje, rrëmbim dhe fshehje të provave. Ata janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës gjyqësore.

Presidenti i zgjedhur i Kolumbisë, Adelardo de la Espriella, reagoi ashpër ndaj ngjarjes, duke e cilësuar atë si një akt barbar dhe duke kërkuar dënime shumë më të rënda për autorët e krimeve ndaj fëmijëve dhe grave shtatzëna, në mënyrë që, sipas tij, “ata të mos rifitojnë kurrë lirinë”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo