Kosova ka shënuar një sukses të rëndësishëm në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ku kickboksi u përfshi për herë të parë në programin zyrtar të kësaj ngjarjeje shumë-sportëshe.
Në mesin e vetëm 10 shteteve mesdhetare pjesëmarrëse në këtë disiplinë, përfaqësuesi i Kosovës, Edmond Sallahu, arriti të fitojë medaljen e bronztë, duke regjistruar rezultatin më të mirë për vendin në debutimin historik të kickboksit në Lojërat Mesdhetare, shkruan KosovaPress.
Delegacioni i Kosovës u përfaqësua nga kryetari i Federatës së Kick-Box-it të Kosovës, Fatmir Makolli, selektori i përfaqësueses, Ilir Menxhiqi, si dhe sportistët Shaban Duraku dhe Edmond Sallahu.
Gjatë qëndrimit në Taranto u zhvillua edhe mbledhja e Bordit të WAKO Mediterranean, ku kryetari i FKBK-së, Fatmir Makolli, paraqiti zyrtarisht kandidaturën e Kosovës për organizimin e Kampionatit Mesdhetar të Kickboksit për vitin 2027 në Prishtinë.
Sipas Federatës së Kick-Box-it të Kosovës, kandidatura e vendit është pritur pozitivisht dhe ekzistojnë gjasa të mira që organizimi i kampionatit t’i besohet Kosovës. Vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë javëve në vijim.