Toshkovski nga Pelinca: Të ruajmë lirinë, ta forcojmë shtetin dhe t’i kultivojmë vlerat e Ilindenit dhe ASNOM-it
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë sot në shënimin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, si pjesë e delegacionit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Në Qendrën Memoriale të ASNOM-it në Pelincë, delegacioni qeveritar vendosi lule të freskëta në nder të pjesëmarrësve të Ilindenit dhe ASNOM-it, të cilët, sipas Toshkovskit, me luftën e tyre hodhën themelet e shtetësisë maqedonase.
Pas ceremonisë në Pelincë, delegacioni qeveritar, së bashku me një delegacion të lartë të Republikës së Serbisë, vizitoi Manastirin “Shën Prohor Pçinjski”, ku vendosi lule në kapelën përkujtimore, duke nderuar rëndësinë historike të këtij vendi për shtetin bashkëkohor maqedonas.
Toshkovski theksoi se Kryengritja e Ilindenit dhe Mbledhja e Parë e ASNOM-it përfaqësojnë dy shtyllat e shtetësisë maqedonase dhe simbole të luftës shekullore për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.
“Sot u bëjmë nderim njerëzve që me guximin dhe sakrificën e tyre na lanë detyrimin më të madh – ta ruajmë dhe ta zhvillojmë shtetin që krijuan. Detyra jonë është ta vazhdojmë veprën e tyre, të ruajmë lirinë, unitetin dhe institucionet dhe të ndërtojmë një Maqedoni të sigurt, stabile dhe të begatë për brezat e ardhshëm”, deklaroi Toshkovski.
Ai shtoi se idealet historike të Ilindenit dhe ASNOM-it vazhdojnë të jenë frymëzim për ndërtimin e një shteti demokratik, të sigurt dhe dinjitoz, ku sundimi i ligjit, uniteti dhe kujdesi për qytetarët mbeten vlera themelore.
Me rastin e Ditës së Republikës, ministri uroi të gjithë qytetarët për festën, duke shprehur dëshirën që 2 Gushti – Ilindeni të mbetet simbol i unitetit, qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë ndaj atdheut.



