​Çmimet e banesave kapin majat: Në Qendër u shit banesë me 3.360 euro për metër katror, në Ohër 3.200 euro

Në tremujorin e dytë të këtij viti, çmimi më i lartë i arritur për një banesë të re të shitur nga investitori ishte 206.640 denarë (3.360 euro) për metër katror. Një apartament prej 50 metrash katrorë në Komunën Qendër të Shkupit është shitur për 168.000 euro, sipas raportit të Regjistrit të Çmimeve dhe Qirave për periudhën prill–qershor.

Sa i përket banesave të përdorura, çmimi më i lartë për metër katror është regjistruar në Ohër, ku arriti 197.408 denarë (3.200 euro). Një banesë prej 66 metrash katrorë u shit për 211.200 euro.

Gjatë periudhës 1 prill – 30 qershor, në Regjistrin e Çmimeve dhe Qirave janë regjistruar 8.369 transaksione (shitblerje dhe qira), që paraqet një rritje prej 7,9% krahasuar me tremujorin e parë, duke treguar aktivitet më të madh në tregun e patundshmërive.

Vlera totale financiare e tregut të patundshmërive në këtë periudhë arriti në 351,7 milionë euro, ose 27,3% më shumë se në tremujorin paraprak.

Janë regjistruar 977 shitje nga investitorët, prej të cilave 943 banesa dhe 34 shtëpi. Krahasuar me tremujorin e parë, janë shitur 236 banesa të reja më shumë.

Në nivel shtetëror janë regjistruar 943 banesa të reja, që është 231 banesa ose 32% më shumë se në tremujorin e parë. Agjencia e Kadastrës ka regjistruar deri tani 28.352 fletë për pararegjistrim të objekteve në ndërtim, çka tregon se shumë ndërtesa të reja pritet të dalin së shpejti në treg.

Numri i banesave të shitura është rritur me 37%, ndërsa vlera e tyre financiare me 43% krahasuar me tremujorin e parë.

Numri më i madh i banesave të shitura është regjistruar në Komunën Aerodrom me 297 banesa, ndërsa më shumë shtëpi janë shitur në Komunën e Manastirit, gjithsej 64.

Shitjet më të shumta të hapësirave afariste janë regjistruar në Komunën Qendër me 33 lokale, ndërsa Komuna e Kumanovës kryeson për shitjen e tokës bujqësore dhe pyjeve me 79 transaksione, si dhe të tokës ndërtimore me 45 shitblerje.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo