Qoku: Gjaku i derdhur i luftëtarëve të lirisë nuk u bë në emër të BDI-së!





Pyetjes drejtuar Ali Ahmetit nga gazetari se çfarë ka bërë ai dhe BDI për 25 vjet pushtet, z. Ahmeti përmend gjakun e derdhur të luftëtarëve të UÇK-së, gjuhën, flamurin dhe Marrëveshjen e Ohrit.

T’i marrim me radhë:
Gjaku i derdhur nuk u bë në emër të BDI-së, as të Ali Ahmetit, por në emër të një kushtrimi historik dhe kontekstual. Ata janë luftëtarë të lirisë, aspak të BDI-së. Kjo do të ishte poshtërim për ta.
Marrëveshja e Ohrit ishte një marrëveshje kompromisi dhe aspak fitore për t’u krenuar. Atë, madje, as nuk e ka nënshkruar Ali Ahmeti. Me atë marrëveshje, shqiptarët u vulosën si pakicë. Të gjithë të drejtat burojnë nga ai status, pra statusi i pakicës.
Flamuri shqiptar që mund të përdoret në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë 1/3 më i vogël se ai shtetëror. Pra, vetëm z. Ahmeti ka arritur ta zvogëlojë flamurin shqiptar për një të tretën. Plus, ai mund të përdoret zyrtarisht vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 50% të njësisë së vetadministrimit lokal.
Gjuha. Gjuha shqipe nuk figuron aspak në Marrëveshjen e Ohrit. Ajo nuk figuron as në Kushtetutë.
Do të thotë se kushtetutshmërisht dhe juridikisht, gjuha shqipe nuk ekziston në Maqedoninë e Veriut. Ekziston një Ligj për përdorimin e gjuhëve, i cili gjuhën shqipe e barazon me gjuhën rome, serbe, vllehe dhe turke.
Përndryshe, pyetjes se çfarë ka bërë BDI për 25 vjet sa është në pushtet me të vërtetë, përveçse ka larguar mbi 300 mijë shqiptarë nga vatrat e tyre, në llogarinë e kësaj partie dhe këtij lideri nuk mund të gjesh asnjë spital, asnjë teatër, asnjë kilometër autostradë, asnjë terren sportiv, asnjë stadium, asnjë vepër të madhe infrastrukturore. Ali Ahmetin nuk e kemi parë të përurojë asnjë objekt, projekt madhor për këto 25 vjet.
Në llogaritë e funksionarëve të BDI-së mund të gjesh vetëm milionat dhe pronat që i kanë zhvatur nga populli i varfër dhe i emigruar.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo