VLEN: Edhe një premtim i përmbushur, gjithsej 600 specializantë në shëndetësinë publike

Që kur morëm besimin për t’i udhëhequr institucionet, kemi pasur një qëllim para vetes. Të përmirësojmë jetën e qytetarëve. Gjatë këtyre 24 muajve kemi arritur rezultate të dukshme në shumë fusha, ndërsa në shëndetësi nisëm ndryshime që prekën drejtpërdrejt mjekët, pacientët dhe familjet e tyre.

Një nga premtimet tona kryesore ishte punësimi i 600 specializantëve privatë në shëndetësinë publike. Tani, me vendimin e Qeverisë për punësimin e grupit të dytë prej 300 specializantësh, ky premtim po përmbushet.

Grupi i parë prej 300 specializantësh tashmë është punësuar, ndërsa vazhdon procesi për punësimin e grupit të dytë. Synimi është që ky proces të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Kjo është një mundësi që 300 mjekë të rinj, të cilët e kanë nisur specializimin me shpenzimet e tyre, të bëhen pjesë e sistemit publik dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre.

Në të njëjtën kohë, spitalet që prej vitesh përballen me mungesë specialistësh do të përforcohen me kuadrin që u nevojitet. Përparësi do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si dhe specializimet ku mungesa e mjekëve është më e madhe.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe qyteteve tjera. Ata nuk duhet të humbin një ditë të tërë, të shpenzojnë për rrugë dhe të udhëtojnë drejt Shkupit për një kontroll që mund dhe duhet ta marrin pranë shtëpisë.

Nuk mjafton vetëm të ndërtojmë spitale dhe të blejmë pajisje. Spitalet kanë nevojë për mjekë. Prandaj, krahas investimit historik prej 74 milionë eurosh në Spitalin klinik të Tetovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë, po investojmë edhe te njerëzit që kujdesen për shëndetin dhe shpëtojnë jetë.

Ne premtuam punësimin e 600 specializantëve dhe po e përmbushim zotimin. Mjekët e rinj do ta ndërtojnë të ardhmen këtu, spitalet do të përforcohen, ndërsa qytetarët do të marrin shërbime shëndetësore më pranë vendbanimit të tyre.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo